Të Drejtat e Njeriut, OKB: Çfarë po bëhet për 21 Janarin?

2015-08-21 2

GJENEVË- Po zhvillohet në Gjenevë një konferencë dyditore e OKB-së mbi Të Drejtat e Njeriut, ku është analizuar edhe Shqipëria.

Përfaqësuesja e Shqipërisë në OKB, Fillareta Kodra fillimisht ka theksuar përparimet që janë bërë në Shqipëri në këtë fushë, qoftë në pozicionin e gruas dhe barazinë gjinore, respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT, situatës në burgje, respektimin e të drejtave të minoriteteve etj.

Kodra ka renditur më tepër arritje, pa cekur problematika dhe ka shtuar "se të drejtat e njeriut në Shqipëri në fund të fundit janë një proces".

Nërsa një anëtar i seancës vuri me shpatulla për muri Kodrën, duke i kërkuar që, në emër të qeverisë shqiptare të japë përgjigje për këto pyetje: "Cili ka qenë rezultati i hetimeve mbi 21 Janarin? Po për gjakmarrjen? Pse 40% të rekomandimeve të Avokatit të Popullit për hallet e njerëzve mbeten pa zgjidhje?

A përhapen publikisht sa duhet çështjet që ngrë Avokati i Popullit? Pse u vonua nga Parlamenti zgjedhja e tij dhe a është e vërtetë, që ka presion mbi këtë institucion? Po vërejtjet mbi trajtimet në burgje, a janë marrë parasysh?

Këto dëshmojnë për mungesë serioziteti nga qeveria shqiptare". Këto kanë qenë disa nga pyetjet dhe konstatimet mbi të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, thënë gjatë seancës së sotme të OKB-së në Gjenevë.