Ivanovski: Projekt ligjet e reja plotësojnë standardet evropiane!

2015-08-21 1

Qeveria shprehet e kënaqur nga projekt/ligjet e reja për mediat. Sipas ministrit për shoqëri informatike Ivo Ivanovski, Ligji për mediat dhe Ligji për shërbime audio dhe audiovizuale janë në harmonizim me legjislaturën evropiane. Sipas tij, ndarja e këtyre ligjeve nga propozim/ligji i mëparshëm ka ardhur pas rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe Shoqatës së Gazetarëve, nën arsyetimin se drafti i parë ishte shumë voluminoz dhe si i tillë, shkaktonte huti. Dy draftet e reja tani përfshijnë të gjitha mjetet informuese; si gazetat, revistat e ndryshme, radiot, televizionet, portalet, tele-teksti dhe mjete të tjera që shërbejnë për informim ditor ose periodik.

"Në këtë ligj janë vendosur nene për: Lirinë e shprehjes së mediave; Kushtet themelore për krijimin e medias; Obligimi për shpalljen e informatave të caktuara, Kryeredaktori, Redaktimi; Akti i themelimit të medias; E drejta e gazetarit të shprehë mendimin e tij dhe qëndrimin për të refuzuar zbatimin e urdhrit ose detyrën; Mbrojtja e burimit të informatave, etj", deklaroi Ivo Ivanovski, ministër i shoqërisë informatike.

Sipas Ivanovskit, përmes Ligjit për shërbimet audio dhe audiovizuale rregullohen të drejtat, obligimet dhe përgjegjësia e radio-shpërndarësve. Ndërkohë, hiqet obligimi që portalet elektronike dhe mjetet e shtypura të evidentohen në Agjencinë Rregullatore për Media, por në Regjistrin Qendror. Nga ana tjetër, Agjencia do të sigurojë informatat për punën e tyre, përmes Regjistrit Qendror.

"Pjesa më e madhe e këtij ligji është harmonizim i ligjvënies maqedonase me direktivat evropiane për shërbimet audio dhe audio-vizuale. Në këtë ligj mbetet edhe pjesa që ka të bëjë me trupin e ri rregullator, Agjencinë për Media. KRD-ja ekzistuese do të riemërohet në Agjenci për Media dhe Shërbime Audio-Vizuale", tha Ivo Ivanovski, ministër i shoqërisë informatike.

Trupi i ri rregullator do të numërojë gjithsej 7 anëtarë; 1 i propozuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, një nga Dhoma e Avokatëve, një nga Konferenca Ndër-Universitare, 2 nga Kuvendi, 2 nga BNJVL. Nga Shoqata e Gazetarëve thonë se vazhdojnë ende të shqyrtojnë draftet e reja, dhe se bashku me partnerë të tjerë mediatik, do të dalin me qëndrim të përbashkët brenda kësaj jave. Bedri Rexhallari