Qeveria, dritë të gjelbër Ligjit për media

2015-08-21 0

Qeveria miratoi ligjet për media, dhe organet aderuese të gazetarëve u gjetën të papërgatitura. Qeveria ka marrë parasysh idenë e ndarjes në dy ligje, atë për media dhe Ligji për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuale. Por nga SHGM-ja dhe organizata tjera të gazetarëve, nuk shprehen të sigurt se qeveria ka implementuar si duhet vërejtjet e tyre. Sipas Ministrisë për shoqëri informative ndarja e ligjit në dy pjesë është bërë pas konsultimeve dhe rekomandimeve që kanë marrë nga OSBE, Këshilli i Evropës por edhe Shoqata e Gazetarëve.

SHGM nga ligji i mëparshëm pati dorëzuar 380 vërejtje por tani në pamje të parë vetëm një vërejtje është marrë parasysh, ndarja në dy ligje. Paqartësi ka mbi anëtarësinë e Agjencisë së mediave që do të zëvendësojë Këshillin për radiodifuzion. Nga organizata e gazetarëve shohin pak mundësi që ky organ të jetë i pavarur edhe pse përbërja e tij është e larmishme. SHGM do të ketë vetëm 1 anëtar në këtë organ, 2 i përkasin Kuvendit, 2 Bashkësisë së Komunave, 1 Konferencës ndëruniversitare dhe 1 do të emërohet nga Dhoma e Avokatëve, por përsëri pavarësia e këtij organi nuk është garantuar.

Draft versioni i parë i ligjit për media i cili u publikua nga Ministria për shoqëri informative në prill të këtij viti, u prit me reagime dhe kritika të shumta në opinionin vendas por edhe ndërkombëtar. Shoqatat e gazetarëve shprehën shqetësimin e tyre se ligji jo vetëm që nuk do të rregullonte punën e mediave por cenonte seriozisht pavarësinë e tyre dhe lirinë e shprehjes. Organizatat e mediave ende nuk kanë dalë me qëndrime, pasi janë duke shqyrtuar nenet e dy ligjeve të reja. Pritet që ato të kërkojnë debate publike me ekspertë të fushës, gazetarë dhe drejtues mediash. Edhe pse ky ligj është kriter integrimi, gazetarët thonë se fakti që Qeveria kërkon miratimin e shpejtë në kuvend, nënkupton se mund të fshihen shumë paqartësi. Semra Jakupi