TIRANE- Nga janari i viti 2014 shqiptarët nuk do të paguajnë më 10 përqindëshin e tvsh -së për shëndetësinë përfshirë këtu edhe tvsh-në e barnave. Edhe biznesi i vogel s'do të paguajë me taksë.
Këto dy reforma por edhe të tjera parashikohen në programin për 300 ditët e para të bashkëqeverisjes mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ilir Beqaj një nga bashkëdrejtuesit e grupit të punës për programin është shprehur se premtimet që Partia Socialiste ka dhënë, do të mbahen ndërsa siguroi se do të ndiqen këshillat e Bankës Botërore dhe ndërkombëtare .
"Kemi rënë dakord që na duhet një sistem krejt i ri i informacionit pë shëndetesinë. Na duhet një mënyrë krejt e re e menaxhimit të institucioneve shëndetësore , si dy parakushte për të shkuar tek ajo skemë që të dyja partite kanë si synim në program, mbulimin e të gjithë popullatës. Do të arrijmë tek ky mbulim universal me residencë në Shqipëri brenda 4 vjeçarit të mandatit. Jemi të vetëdijshëm që modeli i taksimit duhet të jetë ne funksion të punësimit dhe zhvillimit të ekonomisë. Sigurisht që Banka Botërore është një partner i rëndësishëm jo vetëm në qëndrueshmërinë makroekonomike të Shqipërisë por edhe në projektet e saj zhvillimore për Shqipërinë, por unë mund tu them që në 1 janari të paktën e dakortësuar brenda koalicionit nuk do të ketë taksë për biznesin e vogël dhe nuk do te ketë tvsh në shëndetësi."
Beqaj po ashtu ka siguruar se programi për 300 ditët do të jetë gati ne fund të javës së ardhshme, sipas tij janë prekur një sërë fushash e çështjesh të cilat kanë ndikim tek shqiptarët.