Qeveria, emrat që fliten: LSI 4 ministri, të tjerat socialistët

2015-08-21 1

Përfliiten emrat e parë të kabinetit. Mund të ndodhë që shumë prej tyre të jenë vetëm "muhabete tavolinash", por 20 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, duket se pak nga
pak, gjithçka po formësohet. Dy forcat kryesore politike, PS e LSI, kanë tendencën që të koordinohen me njëra tjetrën, për të lënë radhë veprimi dhe bashkëpunimi në
drejtimin e dikastereve.

Kafenetë e dy selive kryesore që do të qeverisin në shtator Shqipërinë gumëzhijnë. Në selinë e PS shkohet akoma edhe më larg, kur në katin e parë, ngjyrat e Rilindjes dhe logoja e saj i kanë zënë vendin një logoje të re "Zyra e kryeministrit të zgjedhur".

Edi Rama, ka filluar punën. Po ashtu, edhe Ilir Meta. Deri tani, asnjë prej tyre nuk ka nisur pushimet. E ndërkaq, stafet kanë filluar të përflasin edhe emrat e rinj të kabinetit
qeveritar.

Dy njerëz po punojnë për strategjinë dhe programin, por emrat e njerëzve që do të drejtojnë qeverinë, janë tashmë më të përfolurit dhe më kuriozët për të gjithë, në kafene, apo edhe mes deputetësh të rinj të zgjedhur.

Frika e vetme që kanë, është se nuk dalin hapur. Por çfarë gëlon korridoreve të dy partive kryesore dhe cilët janë të përfolurit e parë, që jo domosdoshmërisht mund të jenë ministra, por që lakohen sa në një seli në tjetrën?

Në PS ta thonë troç se pikat kyçe që janë deklaruar si prioritare në qeverisjen e re të së majtës, do të mbeten tek socialistët. Arsimi, Shëndetësia dhe Rendi, (një ministri që
pritet të ndahet, Ministria e Rendit veç dhe ajo e Pushtetit vendor veç) do të drejtohen nga socialistët. "Nuk është e vërtetë, të thonë zyrtarët te LSI. Tek arsimi do të vendoset
një emër nga LSI. Ai është projektuar, dhe është Shezai Rrokaj". Por në PS thonë se drejtimi i arsimit do të mbetet te PS.