Aksion i madh policor në Maqedoninë Perëndimore

2015-08-21 1

Mbi 15 të arrestuar është bilanci i aksionit policor që nisi sot gjatë orëve të para të mëngjesit në pjesën perëndimore të Maqedonisë. Në operacionin e ndërmarrë në Kërçovë, Strugë dhe Dibër janë arrestuar të dyshuar për trafikim dhe kontrabandë bagëtish dhe mallrash nga Maqedonia në Shqipëri. Sipas policisë, një trafikim i tillë i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej disa milionë eurosh. Zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski tha se gjatë këtij aksioni në pranga kanë përfunduar edhe dy oficerë të lartë të policisë kufitare dhe disa nëpunës të tjerë policie, bashkëpunëtorë të rrjetit të trafikimit.

"Gjatë mëngjesit të sotëm u arrestuan një numër i madh personash; bëhet fjalë për 15 të tillë në rajonin e Dibrës dhe rrethinë, si dhe në disa fshatra të Strugës e Kërçovës. Bëhet fjalë për një hetim që po zhvillohej prej kohësh , pikërisht për krim që ka nisur të bëhet prej 2011 e këtej. Kryesisht veprat penale që u përkasin këtyre personave janë të lidhura me kontrabandim të bagëtive. Deri tani MPB-ja ka evidentuar mbi 2 mijë krerë bagëti të cilat në mënyrë të paligjshme janë nxjerrë prej Maqedonisë për në Shqipëri, kështu që supozohet se të arrestuarit kanë realizuar përfitim të paligjshëm që mund të arrijë edhe miliona euro", tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Sipas Kotevskit, gjatë aksionit të sotëm janë kryer disa bastisje ku janë sekuestruar para, armë dhe municione. Ky aksion sipas MPB-së është pjesë e luftës kundër krimit të organizuar ndërkufitar. Valmir Kuçi