Financimi i partive, mungon zbatimi i ligjeve

2015-08-21 0

Maqedonia vlerësohet me notë mesatare, përsa i përket financimit të partive politike. Në këtë notë, ka ndikuar korniza e dobët juridike dhe zbatimi akoma më i dobët i saj, përsa i përket besueshmërisë së raporteve financiare të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje. Situatë e njëjtë paraqitet edhe tek kategoritë e tjera si; masat parandaluese, sanksionet dhe mbikëqyrja shtetërore. Te shumica e kategorive ekziston një kornizë e mirë ligjore me standarde të larta, por që kanë zbatim praktik shumë të dobët. Kështu flasin të dhënat nga hulumtimi i realizuar nga Trasparence International (TI) ndërsa janë përfshirë edhe Kroacia, Serbia dhe Kosova. Në Maqedoni hulumtimi është bërë në bazë të të dhënave nga fushata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2011.

"Indeksi i përgjithshëm për transparencën e financimit të politikës në pjesën e financimit të fushatës për Maqedoninë, në bazë të këtyre analizave është 6,2 që është diku në kuadër të mesatares pasi thamë se notë e mirë, është 6,8. ...Indeks më të dobët kemi tek besueshmëria e të dhënave, dhe ajo është 2,9. Indeks tjetër i dobët paraqitet tek sanksionet, pra masat ndëshkuese", deklaroi Sllagjana Taseva kryetare e Transparence International-Maqedoni.

Sipas Tasevës, nga ky hulumtim del në pah se besueshmëria e raporteve financiare nuk është e rregulluar me asnjë ligj, ndaj shteti duhet të marrë masa për rregullimin e kësaj materieje nga e cila burojnë shumë probleme të tjera.

"Në pjesën e besueshmërisë, vërehet mungesa e vullnetit politik që kjo materie të rregullohet me ligj.. Madje mund të themi se nuk kemi rregullativë që e rregullon këtë çështje që do të merrej me sigurimin e besueshmërisë së atyre të dhënave. Pra, askush nuk është kompetent çfarë lloj donacioni është ajo që mediat u japin partive gjatë zgjedhjeve, nëse vërtetë dikush i ka merituar ato dhe a janë të tatueshme ato mjete që i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhorë. Ajo nuk ekziston në asnjë ligj dhe këtu shihet pika më e dobët e financimit të politikës", u shpreh Sllagjana Taseva kryetare e Transparence International-Maqedoni.

Për shkak të të gjitha këtyre anomalive të zbuluara nga ky hulumtim i cili është realizuar në kuadër të projektit KRINIS -- "Zbardhja e fondeve në politikë", Trasparence International rekomandon përmirësimin e performancave të institucioneve mbikëqyrëse shtetërore, zbatim më efikas të ligjeve, shpalljen e donatorëve dhe donacionet e tyre, identifikimin e donacioneve në formë të reklamave mediale gjatë fushatës, si dhe vendosjen e lehtësimeve tatimore për donacionet private të partive politike. Gjyltene Rexhallari