Kryeministri i ardhshëm i vendit dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka pritur vjeshtën për të ngritur qeverinë dhe marrë përsipër punët e vendit, por sot, ai u ka deklaruar kryebashkiakëve të zonave bregdetare të vendit se që gjatë këtij sezoni veror duhet të nisë marrja e masave për spastrimin e vijës bregdetare të vendit të uzurpuar nga gardhimet e veçanërisht nga ndërtimet pa leje. Ai theksoi: "Duhet të veprojmë me shpejtësi dhe forcë për t'i hedhur përtokë të gjitha ndërtimet që janë në zhvillim e sipër dhe për të ndalur një orë e më parë këtë dallgë të madhe ilegaliteti, që dëmton prona private dhe prona publike."