Haxhinasto e Beqaj te ambasadorët: Drafi qeverisës brenda 10 ditësh

2015-08-21 0

TIRANE- Programi i qeverisjes së koalicionit të majtë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit pritet të jetë gati brenda 10 ditësh. Kështu u shpreh i ngarkuari i LSI për hartimin e programit, Edmond Haxhinasto pas takimit që ka zhvilluar së bashku me të ngarkuarin e PS, Ilir Beqaj, me ambasadorët e vendeve të BE në Tiranë.

Takimi me dy të ngarkuarit e Partisë Socialiste dhe Partisë "Lëvizja Socialiste për Integrim" për hartimin e programit, është zhvilluar në zyrat e BE në kryeqytet, e pikërisht në zyrën e kreut të këtij delegacioni në Shqipëri, Ettore Sequi.

Në përfundim të takimit, i ngarkuari i LSI për hartimin e programit, Haxhinasto tha se "brenda 10 ditëve do të mund të kemi një draft që do jetë afër versionit zyrtar të programit".

Ndërsa i ngarkuari i PS, lir Beqaj, tha se ambasadorët e vendeve europiane dhe kreu i delegacionit të BE në Tiranë, ishin të interesuar të dinin më shumë për punën e përbashkët PS-LSI për hartimin e programit të qeverisjes.

Duke u ndalur tek temat më të rëndësishme ku ambasadorët e BE vunë theksin gjatë takimit, Beqaj tha se "Shumë të interesuar ambasadorët ishin për shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, për një sistem dretësie të pavarur, dhe për të shtyrë përpara bashkëpunimin respektiv me vendet e BE-së, për klimën e biznesit, dhe për një situatë të ndryshme fiskale".

Ndërkaq, Haxhinasto, shprehu vlerësim për komentet që ambasadorët dhanë për planin që përfaqësuesit e koalicionit të majtë iu paraqitën atyre.

Ndërsa shtoi se "U vlerësua fakti që në programin tonë kemi një referencë të vazhdueshmë sa i përket detyrimeve të vendit, i referohem realizimit të 12 veprimeve sa i takon këtij progresi. U vlerësua përqasja që ne kemi sa i takon angazhimit të politikës edhe për proceset e integrimit të vendit, dhe gatishmërisë sonë për të angazhuar opozitën në të gjitha zhvillimet e ardhshme".

Takimi i ambasadorëve të vendeve të BE-së me dy përfaqësuesit e partive më të mëdha të koalicionit të majtë, PS-LSI, që doli fitues pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, dhe do të qeverisë vendin për 4 vitet e ardhshme, ka zgjatur rreth një orë.

Free Traffic Exchange