Rama: Nishani të mos bëjë noterin, Llalla të luftojë krimin

2015-08-21 0

TIRANE - Kryeministri i i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit i sheh me tepër shqetësim këto dy muaj të tranzicionit të pushtetit të drejtuar aktualisht "pa frena" nga kryeministri në detyrë Sali Berisha.

"Raporti i të ardhurave me shpenzimet ka kaluar cdo sens logjik. Për hir të atyre shiritave të rrugëve, rruga e rrënimit ekonomik është zgjatuar si asnjëherë në gjysmën e vetme të vitit"- thotë kryetari i PS-së, Rama duke shprehur shqetësimin dhe për ngritjen në detyrë nga KLD, të disa gjyqtarëve javën e kaluar.

Rama përsëriti apelin se çdo vendim apo tender privatizimi i marrë pas 23 qershorit do anulohet prandaj i kujton subjekteve private të mos vazhdojnë më këtë lojë me qeverinë fantazëm pasi është e rrezikshme.

Para se të marrë çelësat e kryeministrisë Rama kërkon të bëjë të qartë dhe marrëdhëniet në të ardhmen e afërt me Presidentin Bujar Nishani por dhe Kryeprokurorin Adriatik Llalla, të cilët nuk janë votuar nga kjo e majtë.

"Presidenti të punojë me mua dhe kryetarin e kuvendit jo si noter i një pale që i ka humbur zgjedhjet, por si garant kushtetues. Prokuroria të shënojë progres real në betejën me gangrenën e
këtij vendi krimin e korrupsionin"- deklaron kryetari i Partisë Socialiste në mbledhjen e sotme të grupit Parlamentar të PS-së të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Kryetari i PS-së informoi deputetët për takimet që zhvilloi ditët e fundit në funksion të këtij 2 mujori tranzicioni me presidentin Bujar Nishani, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe Guvernatorin e Bankës Ardian Fullani.

Rama hodhi dhe piketat për qeverisjen e ardhshme e cila do të qeverisë si një forcë e vetme, "ku do të ndahen përgjegjësitë dhe jo shteti në parcela". Foli për ngritjen e një agjencie të posaçme të burimeve njerëzore, e cila do të finalizohet brenda javës së tretë të korrikut, dhe ku do jetë e plotë baza e të dhënave të kapitalit njërezor të këtij vendit.