LEZHE- Një 22 vjeçare shtatzënë ndërroi jetë mesnatën e së hënës në maternitetin e qytetit të Lezhës. Gazetari ynë Julian Hila informon se Lorena Imeri nga fshati Shullaz ishte shoqëruar nga familjarët për të lindur në maternitetin e Lezhës, por ka ndërruar jetë pa lindur fëmijën.
Familjarët akuzojnë mjekët se kanë ndërhyrë me vonesë. Ndërkohë që e reja ishte në muajin e 9-të të shtatzanisë.
I VELLAI: KUR SHKOI NE SPITAL NUK KISHTE ASNJE MJEK
Klodian Takoni vëllai i viktimës në një prononcim telefonik për tv A1 Report tregon ngjarjen.
"Në orën 22:00 të darkës motra ime ka shku në spitalin e Laçit për një konslutë dhe ato e kanë dërguar në spitalin e Lezhës. Në Spitalin e Lezhës ajo ka shku tu fol, dhe e shoqëruar nga i shoqi, vjehrri dhe vjehrra. Kanë hyrë brenda në spital dhe për një orë e gjysëm nuk ka pasur asnjë mjek. Më pas ka ardhur kirurgu i cili ka marrë motrën time Lorenën dhe e ka futur në sallën e operacionit. Punë 2 minutash ka dalë kirurgu dhe ka thënë se motra ndërroi jetë. Si ndërroi jetë?!"- thotë Takoni
Takoni thotë se 22 vjeçarja nuk ka pasur asnjë shqetësim kur ka shkuar në spital.
"Ajo nuk ka pasur asnjë shqetësim. Ka hyrë në spital duke folur, por nuk kishte asnjë mjek, vetëm mami dhe infermiere" - thotë Takoni. Pas një orë e gjysëm, sipas tij e reja ka hyrë te salla e operimit nga ku ka dalë mjeku dhe ka deklaruar se 22 vjeçarja kishte vdekur
Familjarët e viktimës protestojnë përpara morgut të spitalit të Lezhës
Pasi gruaja shtatzënë ka ndërruar jetë, ajo është dërguar menjëherë në morgun e spitalit të Lezhës për të kryer eskpertizën mjeko-logjore.Mëgjithatë, ndonëse 22 - vjeçarja ndërroi jetë rreth orës 1 pas mesnate, eskpertët nuk kanë mbërritur ende. Ky fakt ka irrituar familjarët e saj, të cilët kanë protestuar pak minuta më parë, para ambjenteve të morgut të spitalit. Ata kërkojnë të bëhet eskpertiza mjeko - ligjore dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes së saj, që deri tani mbetet ende mister.