Egjipt, presidenti i përkohshëm: Zgjedhje të reja brenda 6 muajve

2015-08-21 0

KAJRO- Presidenti i përkohshëm i Egjiptit ka bërë të ditur se brenda 6 muajve do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Ky njoftim i tij vjen në mesin e trazirave të vazhdueshme në vend, ku bilanci zyrtar i përshkallëzimit të fundit të dhunës është 51 të vdekur dhe 453 të lënduar.

Por zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen vetëm nëse amandamentet kushtetuese të hartuara nga Vllazëria Myslimane, aktualisht të pezulluara, do të aprovohen nga populli me anë të një referendumi që pritet të mbahet brenda 4 muajve.

Plan veprimi i Mansour-it mbi tranzicionin politik pas largimit nga pushteti të Morsi-t, parashikon zgjedhjet e përgjithshme në fillim të vitit të ardhshëm.

Më tej, presidenti i përkohshëm u ka bërë thirrje të gjithë egjiptianëve në sheshe që të ruajnë qetësinë. Por analistët e politikës kanë shprehur shqetësimin se një vakuum i vazhdueshëm institucional mund të ndikojë në degjenerimin e episodeve të përgjakshme, si dhe përhapjen e luftës civile në një shkallë më të gjerë.

Partia "Nur" ka kundërshtuar kandidaturën për kryeministër si të Muhammad El Baradei, i Frontit për Shpëtimin Kombëtar, si dhe të ekonomistit të njohur Ziad Baha ad Din.

Gjithashtu mbi masakrën e të hënës, Mansour ka urdhëruar hapjen e një hetimi. Ndërsa partia "Drejtësi dhe Liri e lëvizjes", Vëllazëria Myslimane, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për ndërhyrje, në mënyrë që të bëhet ndalimi i masakrave dhe që të evitohet që Egjipti të transformohet në një Siri të re.

Ndërkohë lëvizja islamiste u ka bërë thirrje mbështetësve të tyre që të mblidhen në sheshe për të protestuar për viktimat e të hënës, kur policia hapi zjarr mbi turmën e madhe mbledhur në kazermat e Gardës presidenciale.