KQZ nxjerr sot rezultatet për qarkun e Tiranës e Gjirokastrës

2015-08-21 13

TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në mbledhjen e sotme, me 4 votat e anëtarëve të pranishëm, nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Gjirokastër, dhe zonën zgjedhore qarku Tiranë.

Ndërsa zona zgjedhore Gjirokastër përbëhet nga 4 ZAZ, me 237 qendra votimi dhe me 122.039 zgjedhës, zona zgjedhore e Tiranës ka 18 ZAZ, me 1422 qendra votimi dhe me 785.076 zgjedhës.

Sa i takon qarkut të Gjirokastrës, KQZ verifikoi dokumentacionin përkatës, ndërsa mandatet u ndanë në 4 për koalicion e majtë dhe 1 për koaliconin e djathtë.

Lidhur me këtë qark, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti ngriti pretendimin për një mospërputhje të numrit të votave të fituara nga PD, me ato të pasqyruara në aktin e KQZ-së.

Diskutime ka pasur edhe lidhur më ndarjen e mandateve për qarkun e Tiranës. Pas kryerjes së verifikimeve dhe korrigjimeve përkatëse, KQZ miratoi tabelën përmbledhëse të rezultateve për këtë qark, dhe mandatet u ndanë 19 mandate për koalicionin e majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane" dhe 13 mandate për koalicionin e djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim".

Me dy vendimet e sotme KQZ po shkon drejt përmbylljes së nxjerrjes së rezultateve për të 12 qarqet e vendit.

Me nxjerrjen e rezultateve për qarkun e Lezhës, përmbyllet ky proces, duke u hapur rrugë më pas çertifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Free Traffic Exchange