Matura shtetërore këtë vit ka shënuar rezultat më të mirë në krahasim me vitet e kaluara. Kështu u shpreh ministri i arsimit dhe shkencës Spiro Ristovski gjatë prezantimit të rezultateve preliminare të maturës shtetërore të realizuar në muajin qershor. Nota mesatare e maturantëve për këtë vit është 3.18.
"Në përgjithësi mund të vlerësoj se matura shtetërore këtë vit tregoi rezultate më të mira nga vitet e kaluara... Nota mesatare e maturantëve për këtë vit është 3.18. Tek më shumë lëndë ka përmirësim krahasuar me vitet e kaluara gjë që është tregues për përmirësimin e diturive dhe adaptimin e standardeve të provimit të maturës. Këtë vit kishim rritje të efikasitetit, qendra shtetërore për provime një orë para provimit ka distribuuar materialet e nevojshme në shkolla me çka u tejkalua mundësia që të vidhen testet ose të kopjohen siç kishim rast vitet e kaluara. Mendoj se në këtë pjesë u shënua rritje drejt kualitetit e cila u reflektua edhe te matura shtetërore. Rezultati që është evident dhe më i mirë është për shkak se vet nxënësit fokusohen më shumë dhe më seriozisht për maturë shtetërore", deklaroi Spiro Ristosvksi, ministër i arsimit.
Maturantët do të kenë mundësi që rezultatet t'i shohin në mënyrë elektronike nga dita e nesërme në portalin matura.gov.mk ndërsa ditën e martë edhe nëpër shkolla. Nxënësit të cilët nuk janë të kënaqur me notën kanë të drejtë ankimimi nga 10 korriku.
"Nxënësit kanë mundësi të japin ankesa prej 10 korrik, tre ditë e kanë afatin e ankesave pagesa është 1 mijë denar te ata nxënës që do të ketë vlerësuar mënyrë pozitive do tu kthen paratë ata nxënës që nuk do të arrijnë të japin ndonjë prej provimeve të maturës do të kenë mundësi që të përsëriten në afatin e gushtit më 13 dhe 15 gusht", tha Jusuf Arifi, drejtor i qendrës shtetërore për provim.
Sipas rezultateve preliminare të maturës shtetërore rritje të notës mesatare është shënuar edhe në lëndën e gjuhës shqipe 3,33 për dallim nga vitit i kaluar ku ishte 2,97. Në lëndën e matematikës nota mesatare është 3,38. Ajo që brengos edhe më tej është numri i ulët i maturantëve të interesuar për lëndën e matematikës dhe se shteti do të analizoj këtë dukuri me qëllim të përmirësimit të saj. Këtë vit lëndën e matematikës e kanë zgjedhur vetëm 2142 nxënës ndërsa në vitin 2008 kishte rreth 5500 kandidatë. Sa i përket lëndës së gjuhës angleze këtë vit ka pasur 200 nxënës më shumë të interesuar se vitin e kaluar. Gjyltene Rexhallari