Egjipt, El Baradei nuk është emëruar kryeministër

2015-08-21 1

Duket se ndarjet në Egjipt po bëhet gjithnjë e më të shprehura. Përpjekjet që të emërohet kryeministri i ri, me të cilin do të bien dakord të gjitha forcat politike në vend, ende janë pa sukses. Ndonëse dukej se fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Mohamed El Baradei do të emërohej shef i qeverisë kalimtare në vend, vetëm disa orë pasi lajmi u publikua, erdhi përgënjeshtrimi nga zëdhënësi i kryetarit të përkohshëm.

"Bisedimet janë në vazhdim. Kryeministri i ri ende nuk është emëruar. Disa figura janë në plan të parë, por asgjë nuk është konfirmuar nga presidenca. Negociatat do të zgjasin më shumë se normalisht, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një qeverie të krizës", tha Ahmed Mosalamani, Zëdhënës i Adli Mansour.

Burime të paidentifikuara qeveritare informojnë se partitë që e mbështetën largimin e ish-presidentit ,Mohamed Morsi, e mbështesin zgjedhjen e El Baradeit si kryeministër, por se po bëhen përpjekje që të sigurohet mbështetje edhe nga partia islamike Nur. Nga udhëheqja e kësaj partie thanë se nuk do ta mbështesin qeverinë e përkohshme të udhëhequr nga El Baradei. Ndërkohë, mbështetësit e presidentit të pezulluar vazhdojnë të fajësojnë se përmbysja e tij nga ushtria është grusht shtet, të cilin ata nuk duan ta pranojnë. Ata për sot përsëri paralajmëruan demonstrata në Kajro për kthimin e Morsit në pushtet. Petar Bllazhevski