Së paku dy persona kanë humbur jetën e dhjetëra të tjerë janë lënduar nga përplasja e aeroplanit të udhëtarëve Boing 777, në pistën e aeroportit ndërkombëtar të San Franciskos në Shtetet e Bashkuara. Ky aeroplan të shtunën u përplas në pistë, me ç'rast u përfshi edhe nga zjarri. Aeroplani i kompanisë Asiana Airlines nga Koreja Jugore, që kishte fluturuar nga Seuli, kishte 291 udhëtarë dhe 16 anëtarë të ekuipazhit. Edwin Lee, prefekt i San Franciskos, tha në një konferencë për shtyp se në aeroplan gjendeshin 77 jug koreanë, 141 shtetas kinezë, 61 amerikanë dhe udhëtarë me shtetësi të vendeve të tjera. Një numër i udhëtarëve ia doli të largohej nga mbetjet e aeroplanit, por zyrtarët thanë se afro 50 njerëz ishin dërguar në spital në gjendje serioze shëndetësore, ndërsa disa të tjerë kishin lëndime më të lehta.
Dy të vdekurit ishin kinezë, por disa janë në gjendje serioze shëndetësore.
"Gjatë uljes avioni e goditi shumë fuqishëm me pistën. Kjo nuk mund të quhet ulje, por goditje. U dëgjua edhe zhurma e fuqishme nga motorët. Pas përplasjes, avioni u ngrit në ajër dhe ra në tokë edhe më fuqishëm".
"Derisa i afroheshim pistës, avioni nuk lëshohej në mënyrë të barabartë, por lëvizte poshtë e lart, sikur të jetë pa kontroll. Papritmas e goditi pistën dhe u përmbys. Pashë se kulmin e kapi zjarri dhe i bllokoi shumë veta".
Ekipet e ekspertëve të Koresë së Jugut kanë mbërritur në vendngjarje. Në drejtimin e tyre, udhëheqësit e kompanisë e kanë përjashtuar mundësinë për probleme me motorët dhe për gabimin e pilotëve.
"Avioni është blerë në Mars të vitit 2009. Të dhënat e deritashme tregojnë se nuk ka pasur ndonjë problem me avionin ose me motorët e tij. Sa iu përket pilotëve, bëhet fjalë për njerëz me përvojë. Njëri prej tyre ka kaluar më shumë se 10 mijë orë pune, kurse tjetri thuajse po aq. Familjeve të viktimave iu kërkojë falje dhe shprehim keqardhje të thellë për atë që ndodhi", deklaroi Jon Jung-Du, president i kompanisë "Aziana Airlines".
Avioni i klasit 777, për herë të parë u lëshua në përdorim për transportin e udhëtarëve në vitin 1995. Bëhet fjalë për avionin më të madh me dy motorë dhe me kapacitet për të bartur deri në 450 persona. Ky është avioni i parë i prodhuesit amerikan "Boeing", me kompjuterizimin e plotë e thuajse të gjitha sistemeve. Petar Bllazhevski