'Ueb faqet', Institucionet anashkalojnë gjuhën shqipe

2015-08-21 0

Ueb faqet e ministrive përfshirë edhe atë të Qeverisë si dhe agjencive të ndryshme shtetërore vazhdojnë të anashkalojnë gjuhën shqipe. Përkundër shumë paralajmërimeve se shumë shpejtë do të ndërmerren masa për të përmirësuar këtë gjendje, në shumë ueb faqe të ministrive gjuha shqipe është larguar si opsion. Përkundër ministrive dhe qeverisë, gjuha shqipe mungon edhe në ueb faqen e presidentit të shtetit Ivanov. Zëdhënësi i Qeverisë Aleksandar Gjorgjiev premton se do të shqyrtohet çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në ueb faqet e institucioneve të ndryshme në vend.

"Në kuadër të vetë komunikimit të qeverisë me opinionin janë paraparë disa modalitet, prej të cilave pjesa më e madhe janë në zhvillim, ashtu që besoj se do të shqyrtohet edhe kjo çështje të cilën e përmendët përmes pyetjes suaj. Jo vetëm në ueb faqet, por janë parapara mundësitë për rritjen e komunikimit dhe përmirësimin e transparencës së qeverisë edhe në nivele të tjera, ashtu që në një periudhë të shpejtë presim të kompletohet plani i përgjithshëm për aktivitetet komunikatave", deklaroi Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeveris.

Ai nuk përjashton mundësin që me këtë formë të komunikimit të përfshihen edhe ministritë dhe institucionet e ndryshme shtetërore. Ndryshe thuajse të gjitha institucionet qeveritare të cilat drejtohen nga kuadro maqedonas, ueb faqet e tyre nuk i kanë edhe në gjuhën shqipe, ata parapëlqejnë që ueb faqet ti azhurojnë në gjuhën maqedonase dhe atë angleze, por jo edhe në atë shqipe. Ueb faqe në shqip mund të hasen vetëm në ato ministri apo institucione që drejtohen nga kuadro shqiptarë. Gylten Rexhallari