Gruevski: Raportet me BDI-në janë të përkeqësuara, por në fazë të qëndrueshme

2015-08-21 0

Raportet mes partnerëve të koalicionit VMRO DPMNE - BDI nuk janë në nivelin e duhur, janë më të përkeqësuar se në mandatin e parë , megjithatë akoma janë në fazë të qëndrueshme. Kështu është shprehur lideri i VMRO DPMNE-së dhe kryeministri Nikolla Gruevski. Sipas tij koalicioni me BDI-në e Ahmetit do të ketë logjikë gjithnjë derisa do të ketë trend të rritjes së standardeve. Gruevski këto komente i bëri në intervistë për portalin 'NetPress'

"Kemi mospajtime. Për disa çështje gjejmë zgjidhje, për disa të tjera akoma jo. E kam thënë njëherë, do ta them sërish, raportet me BDI-në në mandatin e parë dhe të dytë nuk janë njësoj. Në mandatin dytë janë përkeqësuar, por akoma janë në fazë të qëndrueshme. Për sa kohë kemi trend të rritjes të standardeve në të gjitha sferat, do të ketë logjikë ky koalicion. Ky është misioni për ne si politikanë - reforma të vazhdueshme për të mirën. Për të mirën e të gjithëve, pavarësisht nëse është maqedonas, shqiptar, turk, serb, rom, boshnjak, vlleh ose diçka tjetër. Pavarësisht nëse është i krishterë, mysliman ose ateist", ka deklaruar Nikolla Gruesvki, kryeministër.

Gruevski ka thënë se liderët e shqiptarëve më tepër janë të fokusuar në kuantitetin se sa në kualitetin e kuadrove në institucione.

"Kur bëhen koalicionet mes partive politike në Maqedoni, ato negociata zgjasin me muaj të tërë. Mendoj se liderët politikë shqiptarë në Maqedoni, më tepër mbajnë llogari për kuantitetin e funksionarëve se sa për kualitetin e kuadrove të tyre të cilët më pas i emërojnë. Kalitet i cili do të ngrejë gjithë shoqërinë, dhe jo vetëm një grup të caktuar etnik. Nuk them që nuk ka kuadro të mirë mes shqiptarëve. Ka, por them se liderët dhe partitë politike më pak u kushtojnë vëmendje atyre. Nuk flas për njërin ose subjektin tjetër politik por të gjithë në përgjithësi", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Kryeministri Gruevski vlerëson se funksionarët shqiptarë e keqpërdorin për pikë politike çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe. Gruevski thotë se përderisa nxënësit shqiptarë gjuhën angleze e mësojnë nga klasa e parë, refuzojnë që edhe gjuhën maqedonase gjithashtu ta mësojnë nga klasa e parë.

"Nga ana tjetër, kemi një ligj që mundëson që nxënësit maqedonas të munden të mësojnë shqipen si lëndë zgjedhore në shkollë, por këtë nuk e bën thuajse askush. Politikanët heshtin për këtë, sepse nuk duan të humbin poenë politikë. Pyes veten, ku na shpie kjo? Nëse tani nuk jetojmë me njëri-tjetrin, por njëri pranë tjetrit, si do të jetë pas 20 ose 30 vitesh? Si do të kuptohemi atëherë? Me përkthyes, ose në anglisht do të komunikojmë? Këto janë probleme thelbësore!", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Duke folur për këtë çështje, kryeministri Gruevski ka thënë se nuk do të kishte asgjë kundër që fëmijët e tij ta mësojnë gjuhën shqipe, madje thitë se do ti inkurajojë në këtë drejtim pasi njohja e gjuhës shqipe paraqet përparësi. Bedri Rexhallari