PS festë në Vlorë, Rama: Pas dy muajsh përballemi me rrënimin

2015-08-21 1

Nuk kanë të mbaruar festat e Partisë Socialiste pas fitores së madhe të 23 qershorit. Pas festës që e majta bëri në kryeqytet, tashmë radhën e ka Qarku i Vlorës, ku mbrëmjen e së shtunës (6 korrik) PS ka ndezur sheshin "Pavarësia" të këtij qyteti gjatë një takimi festiv me socialistët. Në këtë festim është dhe kreu i PS, njëherësh deputet i zgjedhur në Vlorë i shoqëruar njëkohësisht me të gjithë deputetët që fituan në zgjedhjet e 23 qershorit.Duke falënderuar qytetarët vlonjatë për mbështetjen, kreu i PS-së, tha se "Pas dy muajsh ne do të përballemi me një realitet të rrënueshëm në të gjithë Shqipërinë. Fitorja e 23 qershorit ka një kuptim të qartë. Njerëzit nuk votuan për të hequr disa dhe për të rivendosur disa të tjerë, por për të rindërtuar jetën shoqërore të vendit. Njerëzit bënë një revolucion të heshtur me votë".

Rama është shprehur se do të ketë zyrën e deputetit në Vlorë dhe do të ketë kontakte të vazhdueshme me ata e kanë votuar PS dhe ata që nuk e kanë votuar.
"Të gjithë duhet të mbajnë hapur zyrat e tyre atje ku i votuan qytetarë", ka vazhduar Rama.

Duke u ndalur tek situata në të cilën ndodhet vendi, kreu i PS tha se "Kundërshtari ynë na ka bërë një dhuratë shumë të çmuar, na ka lënë në tavolinë një libër të trashë të mbushur me gabimet e tij. Dhe ne duhet ta lexojmë për të parë gabimet e tij, dhe ne do punojmë për të realizuar angazhimet tona për vendin dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Ne do të punojmë për Vlorën, qytetin e themeleve të vendit, për ta kthyer në një nga portat më të bukura të Mesdheut", tha Rama.

Në përfundim falënderoi të gjithë ata që patën besimin dhe votuan. Si dhe shprehu falënderime për militantët e PS, drejtuesit e partisë, të gjithë stafin, si dhe kreu e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën.

Fjalën e tij Rama e mbylli duke thënë se "Për ta fillon një periudhë e vështirë, e gjatë dhe e pagjumë".

Në podium gjatë këtij aktiviteti u ngjit edhe kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili falënderoi qytetarët vlonjatë për mbështetjen e që i dhanë Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit.

Në fjalën e tij, Gjika tha se PS dhe Rama do të rilindin Shqipërinë". Ndërsa shprehu respekt për të gjithë ata që zgjodhën Vlorën dhe Ramën.

Në këto zgjedhje e majta në Qarkun e Vlorës mori plotë 6 mandate deputetësh. Janë pikërisht Edi Rama, Valentina Leskaj, Koço Kokëdhima, Luiza Xhuvani, Fatmir Toçi si dhe Andrea Marto. Në këtë qark e majta arriti që të fitojë më shumë mandate sesa nga zgjedhjet e vitit 2009.