Asnjë përgjigje nga Athina lidhur me letrën e Gruevskit

2015-08-21 0

Mbetet ende pezull përgjigjja e Athinës zyrtare, ndaj letrës së kryeministrit Gruevski. Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki tha se megjithatë, autoritetet e vendit presin që pala greke t'i përgjigjet pozitivisht kësaj nisme, që sipas tij do të lëvizte procesin e emrit nga status quo-ja.

"Jo, nuk kemi përgjigje. Qëllimi ynë është të bëjmë hapa përpara, të tregojmë pro-aktivitet..Ne po paguajmë një çmim të madh për shkak të shfokusimit të lidershipit politik greke, për sa i përket mos kapërcimit të problemit në kushte kur Maqedonia është e bllokuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të NATO dhe çeljes së negociatave me BE-në..shpresoj që kjo nismë do të jetë e frytshme dhe do të marrim një reagim pozitiv", deklaroi Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.

Nga ana tjetër, ndihmës sekretar i përgjithshëm i NATO-s për çështje politike Dirk Brengellman, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup riafirmoi qëndrimin e Aleancës të marrë në Bukuresht në vitin 2008, se Maqedonia do të marrë ftesën e anëtarësimit pasi të zgjidhë çështjen e emrit. Megjithatë përveç kësaj, ai tha se vendi ka punë për të bërë edhe përsa i përket reformave politike.

"Është e rëndësishme që të shohim zbatimin e Marrëveshjes politike të marsit, zhvillimet rreth ligjit të mediave, zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Ohrit. Të gjitha këto janë të rëndësishme për ne, sepse NATO është edhe organizatë politike, komunitet i vlerave dhe parimeve. Me rëndësi të veçantë për ne është edhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit sepse ka të bëjë me ngjarjet që ndodhën 10 vite më parë, në të cilat ishte përfshirë dhe misioni i NATO-s", tha Dirk Brengellman, ndihmës sekretar i përgjithshëm i NATO-s për politikë.

Ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi pas takimit me përfaqësuesin e NATO-s tha se është ngritur edhe çështja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Por sipas Xhaferit kjo gjë nuk është e mundur.

"Patëm mundësinë që të ndërrojmë mendime rreth planeve për reformim të mbrojtjes dhe ushtrisë, për shkallën e implementimit të MO-së, për idenë dhe debatin për mundësinë e rikthimin e obligimit të detyrueshëm ushtarak si dhe për raportet midis Ministrisë dhe mediave si dhe për implementimin e Marrëveshjes së marsit..informova se çështja e rikthimit të obligimit rekrutues është e pamundur në Maqedoni", u shpreh Talat Xhaferri, Ministër i mbrojtjes.

Ndihmës/Sekretar i përgjithshëm i NATO-s për çështje politikë Dirk Brengellman, i cili vizitoi Shkupin në kuadër të përgatitjes së planit aksionar për anëtarësimin e Maqedonisë në aleancë, pati takim edhe me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovskin, si dhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev. Semra Jakupi