Nga kazerma e Kërçovës u nis sot për në Afganistan kontingjenti i 25-të i ARM-së, në misionin paqeruajtës ISAF. Ministri i mbrojtjes Talat Xhaferi i cili përcolli ushtarët, tha se Maqedonia edhe më tej mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin edhe përkundër faktit se nuk është vend anëtar i NATO-s. Xhaferi tha se ushtarët të cilët marrin pjesë në këto misioni paqësore janë ambasadorët e vendit të cilët me dinjitet do të kryejnë misionin e tyre.
"Sa i përket ministrisë së mbrojtjes, ARM-së, ne jemi të gatshëm dhe tani më llogarisim se jemi anëtarë dhe sillemi si anëtarë të plotfuqishëm të NATO-s pavarësisht faktit që de-fakto dhe de-jure nuk jemi anëtare të plotfuqishme të NATO-s", tha Talat Xhaferi, ministër i mbrojtjes.
"Personeli, vlerësoj dhe e them me përgjegjësi se është i përgatitur për kryerjen e detyrave të cilat i presin në Afganistan. Mendojmë se me përgjegjësi dhe me nderë do ti kryejmë detyrat që na presin", deklaroi komandanti i kontingjentit.
Ushtarët u shprehën të kënaqur dhe thanë se me sukses do t kryejnë misionin për të cilin janë ngarkuar.
"Për mua është nder dhe kënaqësi që jam pjesë e këtij e kontingjenti i cili prezanton republikën e Maqedonisë jashtë shtetit", u shpreh një përfaqësuese e ARM-së.
"Kam nderin dhe krenarin që do ta prezantoj ARM-në. Të shkojmë shëndosh e mirë dhe po ashtu të kthehemi", tha një tjetër përfaqësuese e ARM-së.
Në rotacionin e pesëmbëdhjetë të misionit paqeruajtës ISAF në Afganistan, në të cilin ARM-ja merr pjesë me çetën e mekanizuar këmbësorike, do të nisen 156 pjesëtarët e ARM-së. Bedri Rexhallari