'Vlon', korrupsioni në sektorin privat!

2015-08-21 4

Sektori i ndërtimtarisë dhe ai i biznesit privat mbeten pika e dobët e Maqedonisë kur bëhet fjalë për korrupsionin dhe sjelljet jo etike. Kështu thuhet në hulumtimin më të ri të agjencisë 'Rejting' të realizuar në bashkëpunim me OSBE-në dhe Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Sipas përfaqësuesit të agjencisë 'Rejting', Nikolla Spasov, si formë më e shpeshtë e korrupsionit ose sjelljes jo etike shfrytëzohen lidhjet politike ose të biznesit me qëllim marrjen e ndonjë tenderi nga shteti.

"Ky hulumtim ka qenë i strukturuar që të jetë krahasues me hulumtimet e 'Transparency International' të vitit 2012, që tregon se Maqedonia ende gjendet mes vendeve me nivel të lartë të korrupsionit në sektorin privat. Në krahasim me vendet e tjera të Europës, ne gjendemi relativisht në pozita të larta sa i përket radhitjes së vendeve me korrupsion të theksuar, pra në 10-15 vendet e para sipas të dhënave", u shpreh Nikolla Spasov, agjencioni 'Rating'.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Gjorgji Sllamkov tha se gjykatat në vend duhet të jenë të pamëshirshme kur bëhet fjalë për masa kundër personave të përfshirë në korrupsion.

"Ajo që kërkohet, por edhe qytetarët e kërkojnë, dhe ne si Komision shtetëror, edhe unë si kryetar i këtij institucioni, vlerësoj se është e nevojshme që të ekzistojë një politikë më e ashpër nga ana e gjykatave kur të jepen masa apo dënime për vepra penale korruptive. Korrupsioni si dukuri, ju e dini mirë se çfarë paraqet, përfitim të paligjshëm. Në këtë drejtim, unë personalisht apeloj, por ky është qëndrim edhe i komisionit; konfiskimi si masë duhet të jepet sa më shumë nga ana e gjykatave", tha Gjorgji Slamkov, kryetar i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit.

Përfaqësuesi i OSBE-së në Shkup Markus Rolofs tha se korrupsioni është dukuria më e rëndë që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e zhvillimit të demokracisë në Maqedoni.

"OSBE-ja e sheh korrupsionin si dukuri shumë të dëmshme për zhvillimin e demokracisë, sigurisë dhe stabilitetit në vend. Më vjen mirë që jemi sot këtu si partnerë të Komisionit për anti-korrupsion dhe ne do të vazhdojmë të përkrahim implementimin e një politike efikase për parandalimin e korrupsionit në vend", deklaroi Markus Rolofs -- OSBE.

Hulumtimi i agjencisë 'Rejting', OSBE-së dhe Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit është realizuar nga data 15 deri 19 maj të këtij viti, duke përfshirë rreth 800 të punësuar, pronarë dhe persona në pozita drejtuese në sektorin privat. Valmir Kuçi