Paraqitja e dytë për regjistrim në shkollat e mesme

2015-08-21 15

Afati i dytë për regjistrimin e nxënësve në shkolla të mesme, nuk ndikoi që nxënësit të regjistrohen në shkollat profesionale. Në shkollat me drejtime profesionale "Dimtar Vllahov" dhe "Marija Kiri Skllodovska" nuk kishte interesim nga nxënësit shqiptarë për tu regjistruar në këto dy shkolla. Azem Fazlija nga shkolla "Dimitar Vllahov" tha se deri tani janë pranuar rreth 40 nxënës për dy drejtime të ndryshme

"Tash në afatin e dytë kemi 3 nxënës për frizer dhe 2 kozmetikë, kështu që vende të lira për drejtimin frizer janë edhe një klasë, një paralele ose 34 nxënës kurse për kozmetikë është numri 22 vend të lira, është edhe një drejtim pediker, teknik pediker ku nuk ka asnjë nxënës të paraqitur, as në afatin e parë as në afatin e dytë, kurse është edhe një drejtim tjetër teknik ushqimor edhe aty nuk ka interes", tha Azem Fazlija, sh.m.p "Dimitar Vllahov".

Ndërkohë, nga shkolla e mesme profesionale "Marija Kiri Skllodovska" bëjnë të ditur se në afatin e parë janë pranuar 60 nxënës me mësim në gjuhën shqipe. Ndërsa, për afatin e dytë dhe të tretë kanë zvogëluar numrin e pikëve të duhura.

"Në drejtimet medicinale, teknik laboratorik medicianl dhe teknik farmaceutik në afatin parë është dashur të kenë 70 pikë tash kemi zbritje për pesë pikë, duhen 65. Në drejtimin e teknikës optike të syrit në afatin e parë ka qenë 60 tash 55 pikë si dhe në drejtimin teknik i proceseve prodhuese ka qenë 45 tash është 40 pikë", u shpreh Artan Zejnullahi, sh.m.p "Marijia Kiri Skllodovska".

Ndërsa shkollat profesionale presin numër më të madh të nxënësve, edhe në këtë afat interesim më të madh për regjistrim nxënësit shqiptarë treguan në gjimnazin Zef Lush Marku". Për 110 vende të lira në gjimnaz dhe mjekësi sot kishin konkurruar 130 nxënës.

"Këtu do të kisha bë një apel deri te prindërit fëmijët e të cilëve kanë sukses më të dobët të orientohen në shkolla profesionale ku ka vende të lira dhe aty të mbushen paralelet me nxënës sepse ato shkolla duhet të ekzistojnë, ato profesorë duhet të marrin rroga dhe të jenë të punësuar aty. Gjimnazi Zef Lush Marku nuk mund ti pranojë të gjithë, është i kufizuar me numrin e nxënësve, ka kapacitetin i cili është dhënë me konkursin për regjistrimin në gjimnazin ZLM dhe në paralelet e mjekësisë", tha Sahar Sadiki, u.d. drejtor i gjimnazit "Zef Lush Marku".

Rezultatet e afatit të dytë që është i hapur edhe nesër do të shpallen më 4 korrik. Afati i tretë për regjistrim është më 22 gusht. Nga shkollat e lartpërmendura profesionale përkujtojnë nxënësit se dokumentet për regjistrim do ti pranojnë deri në fillim të vitit të ri shkollor. Melihate Rustemi