Nesër dhe pasnesër realizohet afati i dytë i regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme. Vende të lira edhe këtë vit ka në të gjitha shkollat profesionale, kjo për shkak se nxënësit me sukses të dobët kanë konkurruar në drejtimet mjekësi, ekonomi dhe gjimnaz. Nga Lidhja e arsimtarëve shqiptar apelojnë që nxënësit në bazë të suksesit të tyre të drejtohen në shkollat adekuate e jo në shkollat që nuk e meritojnë pasi rrezikojnë të dështojnë.
"Po jemi mjaft të zhgënjyer se na përsëritet situata e njëjtë se nxënësit që nuk I plotësojnë kriteret që nuk I kanë numrin e pikëve të mjaftueshme konkurrojnë në gjimnaz, në mjekësi, ekonomi. Pra ato nxënës duhet të konkurojnë në shkollat e zanateve. Sipas të dhënave që I morëm nga shkollat, mbi gjysma e vendeve të lira janë plotësuar në qytetin e Shkupit dhe mbeten vende të lira në gjimnazin "Cvetan Dimov" në drejtimin gjimnaz, të ekonomisë dhe shitës pastaj mbeten vende të lira në shkollat e zanateve, në shkollën e komunikacionit në shkollën e makinerisë, në shkollën e post telefon telegrafit ku kemi drejtimin e shpedicionit, "Vllado Tasev", në shkollën e mesme "Marija Kiri", në shkollën e mesme të ndërtimtarisë", tha Nuhi Dardhishta kryetar i LASH-it.
Interesim të madh këtë vit paraqitet në shkollën e mesme të edukatës fizike andaj edhe është kërkuar nga ministria e arsimit hapja edhe e një paralele në gjuhën shqipe.
"Por neve na brengos më shumë se në konkurs nuk ishte paraparë paralelja e dytë e shkollës së mesme të kulturës fizike "Metodija Mitevski Brico" kështu që ne kemi analizuar situatën bashkë me drejtorët dhe kryetarin e komunës Çair dhe është marr një qëndrim se nëse paraqiten më tepër nxënës të kërkohet që të hapet paralelja e dytë dhe ajo është bërë, ka më tepër nxënës prindërit kanë bërë kërkesë në ministri të arsimit dhe shpresojmë se nesër ministria e arsimit do të lejoj hapjen edhe të një paralele të arsimit fizik në shkollën e mesme "Metodija Mitevski Brico" . Kjo shkollë është shkollë shtetërore, pra nuk është i qytetit të Shkupit dhe nga gjithë Maqedonia konkurrojnë në atë drejtim", u shpreh Nuhi Dardhishta kryetar i LASH-it.
Sipas të dhënave të ministrisë së arsimit, në nivel republikan ka vende të lira për mbi 20 mijë nxënës, prej tyre mbi13 mijë nxënës me mësim në gjuhën maqedonase dhe mbi 6000 nxënës me mësim në gjuhën shqipe. Për drejtimin gjimnaz ka 5611 vende të lira ndërsa për drejtim profesional 14.890 vende të lira. Në afatin e parë, regjistrimi ka përfunduar në shkollën e mesme "Arseni Jovksov" , "Rade Jovçevski-Korçagin", " Nikolla Karev", Nace Bugjoni" në Kumanovë paralelet në gjuhën shqipe. Gjyltene Rexhallari