Zbatimi i MO-së ka shënuar progres megjithatë vazhdojnë të mbesin të hapura temat e ndjeshme të cilat duhet të zgjidhen në mënyrë institucionale. Kështu ka deklaruar zëvendës kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi në intervistën javore të radios Evropa e Lirë. Sipas tij qëllimi i Marrëveshjes është arritur por nevojitet që të ndryshoj perceptimi i palëve sa i përket benefiteve që dalin nga ky dokument. Ai informoi se për momentin po kërkohen mekanizma mbrojtës për të gjitha komunitetet me qëllim të evitimit të majorizimit të tyre në nivel lokal dhe qendror.
"Ka shumë të arritura, ka shumë tema të hapura dhe kjo do të shihet përmes raporteve nga të gjitha debatet që i kishim të cilat do të sublimohen në një dokument. Dokumenti do të jetë për përdorim të brendshëm për të parë se cilat do të jenë prioritetet në vitet e ardhshme për zbatimin e atyre politikave që dalin nga MO-ja. Nëse unë jam pakicë në Strugë atëherë do të luftoj për të drejtat e mia, do të reagoj për shkak se më majorizon bashkësia tjetër. Është e kundërta kur kjo është temë në nivel qendror tek institucionet. Ne jemi në proces të hulumtimit të mekanizmave mbrojtës të cilat do të jenë universale për të gjithë", deklaroi Musa Xhferi zv/kryeministër për implementimin e MO-së.
Sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, Xhaferi thekson se kjo nuk mund të arrihet nëse në vazhdimësi pranohen edhe qytetarë maqedonas. Ai tha se nuk është kundër punësimit të maqedonasve në administratë, por shton se një situatë të tillë nuk mund ta përballoj buxheti i shtetit.
"Në atë proces ne në vazhdimësi pranojmë njerëz që të përmirësojmë dhe të arrijmë balansin e përfaqësimit të drejtë. Të flasim hapur, nuk pranojmë vetëm shqiptarë, në vazhdimësi pranohen edhe maqedonas. Unë nuk jam kundër, por mendoj se paraqet fotografi të njëanshme. Duhet t'i shohim dy anët e medaljes. Nëse në atë garë në vazhdimësi pranohen edhe maqedonas ne nuk do ta arrijmë qëllimin. Ajo në një far mënyre është sikur ne të vrapojmë në një piramidë që nuk ka fund, nuk ka mundësi që ta përballoj buxheti", tha Musa Xhferi zv/kryeministër për implementimin e MO-së.
Xhaferi ka mohuar faktin se koalicioni qeverisës ka dallime sa i përket çështjes së emrit. Sipas tij me rëndësi janë marrëdhëniet ndër fqinjësore dhe se të gjitha temat e hapura me fqinjët duhet të zgjidhen me dialog dhe kompromis. Gjyltene Rexhallari