TIRANE - Ministrat e qeverisë Berisha, që do të mbajnë postet e tyre deri në shtator, duket se nuk po lenë dhe nuk do të lenë rast pa shfrytëzuar që të mbushin xhepat, deri në momentin e fundit, me paratë e shqiptarëve. Një gjë të tillë e dëshmon mënyra se si ka proceduar ministri i Inovacionit Genc Pollo me tenderin 25 milionë eurosh të dixhitalizimit. Në urdhërin e tij për negociata me fituesin që ka paraqitur ofertën më të mirë, që është lëshuar më 17 qershor, gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare, Pollo ka pranuar që të nisin negociata, jo me një subjekt ofertues, por me dy njëkohësisht. Në dokumentat paraprakë të tenderit, nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është konstatuar se tri kompani kanë dalë me pikë të afërta, por njera nuk kishte dorëzuar garanci oferte, ndërsa dy të tjerat edhe garancinë e kishin njësoj.