Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq mes Maqedonisë dhe Kosovës shumë shpejtë do të bëhet realitet. Kështu u shprehën sot dy ministrat e Brendshëm Gordana Jankullovska dhe Bajram Rexhepi gjatë firmosjes së marrëveshjes për hapjen e këtij vendkalimi kufitar. Jankullovska dhe Rexhepi u shprehën se përmes këtij kësaj marrëveshjeje, iu shmangen pengesave formalo-juridike për hapjen e kësaj pike kufitare.
"Hapja e vendkalimeve të reja kufitare paraqet ura të reja bashkëpunimit në të gjitha sferat dhe në këtë drejtim unë do të doja të theksoja se rëndësi të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, janë marrëdhëniet e mira mes qytetarëve të tyre dhe bashkëpunimit mes ministrive të brendshme. Unë besoj se kjo marrëveshje që firmosëm sot, është marrëveshje për hapje të një kufiri të ri ndërkombëtar....më së tepërti do t'u shërbejë qytetarëve që jetojnë përreth, por edhe të tjerëve dhe ai do të kontribuojë për një këmbim më të madh në sferën e ekonomisë por edhe në përditshmërinë e qytetarëve", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
"Kjo ide është më e hershme diku prej vitit 2008-2009 ka filluar si ide, tani më në fund u finalizua me një nënshkrim. Financimi do të bëhet nga Komisioni Evropian dhe është prej një rëndësie të veçantë pasi ky është një vendkalim kufitar i karakterit ndërkombëtar i kategorisë A ku përveç qarkullimit të njerëzve do të ketë edhe qarkullim për mallra komerciale. Kjo është në vazhdën e standardeve evropiane për lirinë e lëvizjes, për bashkëpunimet rajonale dhe do të jetë një lehtësim i madh për qytetarët e asaj pjese të cilët shpesh është dashur të udhëtojnë me kilometra e të shkojnë nëpër vendkalime tjera kufitare", u shpreh Bajram Rexhepi, Ministër i Brendshëm i Kosovës.
Megjithatë, pengesë kryesore mbetet ende rruga e pa ndërtuar në gjatësi prej 17 kilometrash nga pjesa e Maqedonisë, e cila zvarrit prej vitesh këtë proces. Jankullovska tha se pala maqedonase së shpejti do të sigurojë infrastrukturën e duhur.
"Ne do të mbetemi të përkushtuar për sigurimin e të gjitha kushteve të duhura, do të sigurojmë infrastrukturë, kushte për punë, me qëllim që vendkalimi kufitar të vihen të funksion sa më shpejtë të jetë e mundur, dhe të shfrytëzohet të gjitha të përfitimet nga hapja e tij", tha Gordana Jankullovska -- Ministre e Brendshme.
Çështja e hapjes së vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiq u trajtua edhe në tetor të 2012-ës, në takimin mes ish zv/kryeministres Teuta Arifi dhe homologes së saj kosovare, Vlora Çitaku. Arifi pati deklaruar se punimet do të përfundonin në 3 mujorin e parë të këtij viti. Nevojën e hapjes së këtij vendkalimi kufitar, prej vitesh ishte sensibilizuar nga ALSAT-M përmes reportazheve të realizuara me banorët e këtyre trevave. Valmir Kuçi