Mini-rikonstruim të kabinetit qeveritar pritet të ketë së shpejti. Kështu mëson ALSAT M nga burime partiake. Edhe pse për momentin VMRO DPMNE-së dhe BDI-së e mohojnë një gjë të tillë zyrtarisht, rikonstruimi është i pashmangshëm. Nuk do të ndryshojnë vetëm ministrat por si duket kësaj radhë do të ketë edhe këmbim të dikastereve midis partnerëve të koalicionit. BDI, si duket do të lërë ministrin e Drejtësisë në këmbim të asaj të Transportit, që do të thotë Blerim Bexheti do të ikë nga posti. Edhe Tahir Hani siç mësohet, nuk do të drejtojë më Vetëqeverisjen lokale. Zv/kryeministri Musa Xhaferi sot mohoi të jetë diskutuar për rekonstrumin e mundshëm të qeverisë, por nuk e përjashtoi mundësinë e shkarkimeve në eshalonin e dytë, përkatësisht drejtorëve dhe zv/drejtorëve të kësaj partie.
A mund të presim së shpejti ndonjë mini-rikonstruim të Qeverisë, konkretisht në ministritë që udhëheq BDI-ja?
Musa Xhaferri: Nuk e di, ajo temë nuk është biseduar, nuk kam ndonjë informacion!
Në nivel të drejtorëve?
Musa Xhaferri: Mund të ndodhë, mund të ndodhë. Nuk e di, nuk e kam parasysh! Varësisht nëse ka ndonjë lëvizje, nëse është dëshmuar në punë ajo si nevojë.
Në seancën e radhës të qeverisë, sipas burimeve tona, pritet të shkarkohet drejtori i Fondit Shëndetësor Xhemali Mehazi. Ndërsa në javët në vazhdim, edhe drejtorë dhe zv/drejtorë të tjerë, si ai i Drejtorisë për të Ardhura Publike dhe të disa ndërmarrjeve më të vogla ku zyrtarët e BDI-së nuk kanë treguar rezultate të kënaqshme. Zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha ka konfirmuar se Qeveria mblidhet sonte më mbledhjen e saj të rregullt, e cila mund të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit. Sipas Hoxhës, për momentin nuk është parashikuar diskutimi i shkarkimit të ndonjë drejtori.
"Në seancat e deritanishme të qeverisë, nuk është biseduar për ndryshime eventuale në postin udhëheqës të Fondit Shëndetësor. Deri tani... deri në seancën e fundit të qeverisë, nuk është bërë fjalë për ndryshime kuadrovike në postin udhëheqës të Fondit Shëndetësor", tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Mehazi nga ana tjetër, i kontaktuar nga ALSAT M, u shpreh se as zyrtarisht dhe as jo zyrtarisht, nuk ka informata se mund të shkarkohet nga posti i drejtorit. BDI ka vendosur që zyrtarët e saj, të cilët nuk kanë treguar rezultate të kënaqshme, t'i shkarkoj në faza e jo përnjëherë, për të zbutur reagimin brenda degëve të saj. I pari që u shkarkua në këtë valë të ndërmarrë nga partia e Ahmetit, ishte zv/drejtori i Doganave Driton Fejza, i cili u zëvendësia me Lavdërim Veliu. Alsat M