Për presidentin Gjorge Ivanov zgjidhja e vetme e pranueshme për çështjen e emrit është emri Republika e Maqedonisë në përdorim të përgjithshëm. Qëndrimin e tillë të prerë, Ivanov e ka deklaruar mbrëmë në një emision në televizionin Kanal 5. Edhe përkundër pozicionit të tij të betonuar për këtë çështje, presidenti Ivanov vlerëson se Maqedonia është konstruktive në bisedimet për çështjen e emrit.
"Unë i thash dhe të gjithë i dinë qëndrimet e mia, ashtu që edhe do të qëndroj në të edhe më tej, ndërsa ajo është Republika e Maqedonisë erga omnes. Kam dhënë betim para asaj Kushtetute. Ne bisedojmë për diçka që dikush na e ka lënë në trashëgimi dhe kërkojmë zgjidhje. Nuk duam që ne të jemi fajtorë, kur një ditë dikush do të tërheqë një vijë dhe do të thotë ju jeni fajtorë për atë. Ne çdoherë jemi konstruktiv dhe Nimici e di këtë. Kemi gjetur mënyra që t'i realizojmë interesat strategjike të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë", tha Gjorge Ivanov, president.
Madje presidenti Ivanov mbrëmë akuzoi drejtpërdrejtë Bashkimin Evropian si fajtor kryesor për dështimin e samitit të presidentëve në Ohër. Ai ka akuzuar vendet e BE-së se kanë bërë gjithçka që ky samit të anulohet dhe pjesëmarrje e përbashkët historike e Kosovës dhe Serbisë në një samit të mos ndodh në Maqedoni, por në ndonjë vend të Bashkimit Evropian.
"Ajo që ndodhi në Bratisllavë dhe hapja zyrtare e Samiti, dhe fjalimi i Rompujit zbulon se pse ky Samit nuk ndodhi në Ohër. Merrni fjalimin dhe ju tregon gjithçka. Ai thotë: "Po marrim pjesë në një samit historik në të cilin për herë të parë në histori po takohen në samit presidentësh, kryetari i Kosovës dhe ai i Serbisë". Dhe ata të lejojnë që Maqedonia të jetë vendi i atij takimi historik? Gjithçka është e thënë... Gjithçka ishte sipas planifikimit deri dy ditët e fundit. Kur pamë se si vendet anëtare të BE-së po heqin dorë nga pjesëmarrja, kur pamë se si i gjithë ai kapital i investuar, se Bashkimi Evropian duhet ta arsyetojë Çmimin Nobel për paqe dhe të dëshmojë se kontribuon për paqe në rajon, e pamë se kush na e rregulloi këtë punë", deklaroi Gjorge Ivanov, president.
Presidenti Ivanov në këtë intervistë gjithashtu akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se nuk e lejon Maqedoninë të bëhet faktor, dhe të udhëheq disa procese. Benjamin Arifi