Nishani: Jam mirë me shëndet lajmi krejtësisht spekulativ

2015-08-21 2

TIRANË - Presidenti Bujar Nishani ka dalë personalisht në një konferencë për shtyp, për të sqaruar publikisht gjendjen e tij të përfolur shëndetësore, sikur ai "ka kryer sot një operacion". "Arsyeja e këtij komunikimi është për të përcjellë te qytetarët një mesazh qetësie, pasi para disa çastesh disa burime krejt të papërgjegjshme kanë dërguar tek mediat një lajm krejtësisht spekulativ dhe të pavërtetë për një gjendje shëndetësore timen sikur të jem pas një operacioni, që paskam kryer", nisi shpjegimin Nishani.

Nishani përpara se të dilte në konferencë për shtyp, bëri personalisht edhe një telefonatë në redaksinë e "A1 Report", ku deklaroi se "jam mirë me shëndet, nesër vazhdoj takimet e mia me delegacionin e Parlamentit të Europës". Sonte në mbrëmje, ndërsa po zhvilloheshin dy mitingjet përmbyllëse të partive kryesore PD dhe PS, u përhap me shpejtësi lajmi se Presidenti i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për aneurizëm në kokë. Burime nga Presidenca nuk e konfirmojnë. QSUT deklaron se "ka bërë një kontroll rutinë".