I nxehti, mjekët: Kujdes me ushqimin dhe higjienën!

2015-08-21 1

Maqedonia edhe sot ishte në fazën e verdhë, e përfshirë nga vala e të nxehtit dhe me temperaturë deri në 38 gradë celsius. Ndërsa qytetarët përballen me shkallë të lartë të temperaturës, mjekët rekomandojnë kujdes gjatë shfaqjes së tyre në diell ose të shmangin daljet në sipërfaqe të hapura nga ora 10 deri në orën 17. Mjeku Bari Abazi këshillon qytetarët që të kenë kujdes në konsumimin e ushqimit dhe mundësisht gjatë ditëve të nxehta të largojnë ushqimet me kalori të larta.

"Ushqimet duhet të jenë taze të përgatitura, asesi mos të futen në frigorifer dhe më pas të konsumohen, pra aty për aty përgatiten dhe konsumohen. Konsumimi i ushqimeve duhet të jetë nga të lehtat dhe asesi mos të jenë me kalori të larta, mishi dhe prodhime të mishit... Veshja duhet të jetë më rroba të lehta, me ngjyra të hapura, me përbërje pambuku dhe asesi sintetikë edhe të përdorin ujë sa më shpesh, më tepër lëngje dhe është një rregull, një porosi dhe rregull që mos të presim të etësohemi dhe të pijmë ujë, por para së të etësohemi të pijmë nga pak ujë..Edhe punëtorët fizik që janë të detyruar të punojnë jashtë duhet të mbajnë kapela, veshje më të lehta, kapela mbrojtëse dhe syze dhe koh pas kohe të bëjnë pushim në hije, të freskohen me ujë të freskët", tha Bari Abazi, mjek.

Mjeku Bari Abazi, gjithashtu rekomandon shmangien e pijeve të alkoolizuara dhe me kofein, ndërkohë që paralajmëron qytetarët me sëmundje kronike, respiratore dhe kardiovaskulare për kontrolle dhe terapi të rregullt mjekësore. Kryqi i Kuq i Shkupit ndihmoi qytetarët gjatë ditëve të nxehta duke bërë shpërndarjen e ujit në pika të caktuara në qytet. Ata kanë hapur edhe sos linjën telefonike me numër 3221 902.

"Linja telefonike funksionon në fazën e verdhë dhe atë të portokallt, funksionon prej orës 10 deri në orën 18 çdo ditë punë ndërsa në fazën e kuqe, atëherë si aksion funksionon 24 orë. Numri i telefonit është 3221 902, dmth çdo qytetarë nëse dëshiron të merr ndonjë informatë në lidhje me valën e të nxehtit mund të lajmërohet lirisht në këtë numër dhe do të merr këshilla se çka duhet të ndërmer nëse eventualisht ndjen ndonjë keqësim në shëndet. Gjatë shpërndarjes së ujit shpërndajmë edhe fletushka, fletushkat i kemi në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Organizatën botërore shëndetësore, kemi edhe për popullatën e përgjithshme, kemi për të punësuar, kemi për pleq", deklaroi Rexhep Lusjani, Kryqi i Kuq.

Temperaturat e larta në Maqedoni do të vazhdojnë deri nesër kur pritet që vendi nga faza e verdhë të kthehet në atë të gjelbër, ndërsa temperaturat të ulen për disa shkallë. Melihate Rustemi