BRUKSEL - Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të pjesshme për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, pas takimit të së enjtes vonë në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton. Pas takimit që zgjati deri në orën 3 të mëngjesit të së premtes shefja e diplomacisë së lartë tha se është analizuar progresi i deritanishëm dhe se ka progres konkret drejt normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Kosovës. "Të dy kryeministrat janë pajtuar për një varg çëshjesh të hapura, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve të ardhshme komunale",-ka shtuar baronesha Ashton. Kurse nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se ka pajtueshmëri të përgjithshme për zgjedhjet komunale që do të zhvillohen në muajin shtator e në të njëjtën kohë do të ftohet edhe OSBE-ja si lehtësuese, menaxhuese dhe organizuese e këtyre zgjedhjeve.