BRUKSEL- Liria e medias në këto dy vite, nga konferenca e fundit "Speak up" e majit 2011 deri më tani, është përkeqësuar. Këmbanat e alarmit duhet të bien për qeveritë, shoqërinë civile, politikanët, ndërkombëtarët dhe vetë gazetarët. Ka shumë probleme dhe duket se situata nuk mund të zgjidhet as në Vjenë, as në Bruksel e as në Strasburg.
Alarmin e dha sot në konferencën "Speak Up", Dunja Milatovic, përfaqësuesja më e lartë e OSBE për lirinë e medias, e ftuar nga zyrtarët e Komisionit Evropian në Bruksel në këtë aktivitet njëditor.
"Marrëveshjet ndërkombëtare, nuk janë një zgjedhje për qeveritë, por janë të detyrueshme" tha zonja Milatovic, duke nënvizuar nën prezencën e 400 gazetarëve nga Ballkani dhe Turkia, dhe në prezencë të komisionerit Fyle se sidomos ndërkombëtarët, duhet të kuptojnë se kjo nuk është "liri për median", por "liri për të gjithë".
Komisioneri Stefan Fyle, duket se bie dakord me konstatimin e zonjës MIlatovic, jo duke i hyrë çështjeve konkrete, por duke parë indeksin e lirisë së medias në këto vende të rajonit të paktën për dy vite që kur janë zhvilluar punimet e konferecës së fundit.