Maqedonia në fazën e verdhë, mjekët apelojnë për kujdes!

2015-08-21 1

Maqedonia u përfshi në fazën e verdhë dhe me temperatura të larta deri në 38 gradë celsius. Në Shkup temperatura arrti deri në 37 gradë celsius. Moti shumë i nxehtë ka shtuar edhe punën e shërbimit të ndihmës së shpejtë të cilët thanë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit ndihmë kanë kërkuar rreth 120 persona. Sipas mjekut Oliver Aleksovski, gjatë tre ditëve të kaluara janë regjistruar edhe e 4 raste kolapsi në vende publike.

"Gjatë ditëve të kaluara, me rritjen e temperaturave kemi edhe rritjen e numrit të intervenimeve në shërbimin e ndihmës së shpejtë, numri i tyre sillet prej 100 deri në 120, e kemi fjalën për 24 orë dhe këtu bëjnë pjesë intervenimet e shpejta. Mundë të veçojmë se gjatë këtyre dy tre ditëve kemi 4 raste të kolapsit në vende publike ndërsa ata me sëmundje të zemrës dhe sëmundje neurologjike, tani për tani nuk kemi diçka që mund ta kishim lidhur me temperaturat e larta", tha Oliver Aleksovski, mjek i ndihmës së shpejtë.

Aleksovski gjithashtu përkujtoi qytetarët të respektojnë rekomandimet shëndetësore dhe të mos dalin jashtë nga ora 11 deri në orën 16. Por, nëse dalja e tyre është e patjetërsueshme atëherë të vishen lehtë dhe më ngjyra të çelura, të mbajnë kapelë, syze dhe ujë me vete. Gjithashtu ai rekomandon përdorimin e ushqimit të lehtë dhe të freskët. Ndërkohë nga Enti hidrometeorologjik njoftojnë se Maqedonia në fazën e verdhë do të mbetet deri të shtunën, me temperatura deri në 38 gradë.

"Edhe gjatë ditës së nesërme do të kemi mot të ngjashëm, me diell dhe shumë i nxehtë të shoqëruar me errtë lehtë. Temperatura e mëngjesit do të lëviz prej 13 deri në 21 gradë ndërsa gjatë ditës sërish do të kemi temperatura të larta prej 31 deri në 38 gradë, ndërsa në Shkup deri 36 gradë. Sipas parametrave të definuar jemi në fazën e verdhë në bazë të temperaturave të larta, gjatë ditëve të ardhshme do të jemi në fazën e verdhë dhe kjo do të mbaj deri të shtunën kur gradualisht do të kalojmë në fazën e gjelbër", deklaroi Dushanka Tanushevska, sinoptikane.

Nga Enti hidrometeorologjik bëjnë të ditur se rënie të temperaturave për disa gradë priten gjatë vikendit. Melihate Rustemi

Free Traffic Exchange