STAMBOLL - Një formë tjetër e protestave antiqeveritare në Turqi. Një protestues turk i quajtur "njeriu në këmbë", ka qëndruar pa lëvizur për orë të tëra në sheshin Taksim në Stamboll. Artisti Erdem Gunduz qëndroi në heshtje për tetë orë, me vështrimin drejt qendrës kulturore Ataturk ku janë vendosur dy flamuj gjigandë të themeluesit të Turqisë moderne e laike Kemal Ataturku.Ai qëndroi në heshtje nga ora 6 e mbasdites të së hënës deri në orën 2 duke u gdhirë dita e martë dhe u mbështet nga qindra persona të tjerë të cilët u shpërndanë nga policia. Gunduz, i quajtur "njeriu në këmbë" në mediat e sociale në Turqi, ka frymëzuar protesta të ngjashme në vende të tjera në Stamboll si edhe në kryeqytetin e Ankara-së dhe qytetin e Izmirit në bregdetin Egje. Gunduz i pyetur nga gazetarët tha se donte të mbante një qëndrim simbolik.