KORCE- Partia Socialiste zhvillon takimin përmbyllës elektoral në qarkun e Korçës. Në fjalën e tij, kreu i PS tha se ky takim përmbyllës elektoral në Korçë është "më i jashtëzakonshmi, pasi sheshi është mbushur plot". Rama tha se "PS është alternativa për t'i dhënë fund rrënimit dhe për t'i hapur rrugë rilindjes". Rama tha se "prania e mijëra qytetarëve në shesh është vula drejt një fitoreje të madhe, të thellë, e cila do të jetë fitorja e Shqipërisë europiane mbi rrënimin, injorancën, analfabetizmin, papunësinë, korrupsionin dhe krimin".
Kjo ditë, tha Rama do të jetë edhe shpëtimi i kryeministrit Sali Berisha, pasi sipas tij, "nga rilindja do përfitojë edhe katragjyshi, se do çlirohet nga antiplumbi, do ketë një shans për t'u bërë një plak normal".
"Në këto ditë kemi pasur privilegjin nga kjo tribunë të shikojmë pamje të jashtëzakonshme. Mirënjohjen më të madhe për gjithë ata që na kanë pritur në sheshe, kudo ku kemi shkuar. Me ndjesën për të gjithë, kjo e sotmja është me e jashtëzakonshmja. Është pamja që në mënyrën më të mrekullueshme, bashkon praninë e njerëzve me ngjyrën dhe erën e rilindjes që po fryn në Korçë. S'i vë faj katragjyshit, që thotë vë lentet e mëdha për të shumëfishuar njerëzit në sheshe. S'ka faj se me gjithë njerëzit që merr me zor në autobusë e i çon sa në një qytet në tjetrin. Korça e mbledhur kështu në shesh po manifeston me praninë e saj vullnetin e një populli të tërë më që 23 qershor, do të ndryshojë faqen e historisë", tha Rama.