VLORE- Nedim Vlora, nipi i Ismail Bej Vlorës në një intervistë për Tv "A1 Report" shpjegon arsyet për të cilat është përkrah liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Rëndësia më e madhe që kjo parti i jep popullit, qartësia se çfarë kreu i PS, Rama do të bëjë për Shqipërinë dhe besimi se ai do t'i realizojë këto në tërësi, përbëjnë arsyet kryesore për të cilat pasardhësi i fisit të pavarësisë, Nedim Vlora, së fundmi është parë më shpesh në Shqipëri. Vlora ka qenë prezent edhe në takimin që Rama ka organizuar me studentë të Universitetit të Vlorës.
"Unë personalisht jam më shumë për Partinë Socialiste në sensin që i jep rëndësinë më të madhe popullit, shoqërisë. Dhe më vjen keq që nga vizita ime në Kaninë pashë njerëz të varfër që nuk kanë ende ujë dhe njerëz që punonin nëpër ara, dhe unë jam me ta, jam nga ana e tyre jo nga ana e atyre që ndërtojnë gradaçela në Tiranë. Mos t'i harrojmë ata fëmijë të varfër që lindin atje dhe nuk gjejnë dot mundësinë për të shkuar në shkollë ose në universitet, kjo është pra ideja ime: Mua më pëlqen më shumë një spital sesa një piramidë", u shpreh Nedim Vlora.