GJIROKASTER - Një projekt i vogël financimi në shkollën e komunitetit rom "Së bashku" në Gjirokastër nga ana e bashkisë së qytetit, duket se nuk është i mjaftueshëm, për t'a kthyer atë, në një objekt normal, të vetmin institucion arsimor të këtij komuniteti, në jug të vendit. Projekti synon, rehabilitimin e pjesshëm të godinës në pikat më kritike të saj sidomos në tualete, sheshin qëndror dhe aksesorë të tjerë të godinës. Vlera e investimit nuk bëhet e ditur, por të çudit fakti se ky investim ndërmerret në një kohë kur sezoni arsimor ka ditë që përfundoi. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Gjirokastrës, investimi në fjalë ndërmerret tani jo për qëllime elektorale, pasi ky institucion, do të jetë i hapur edhe në ditët e verës sepse pritet të funksionojë si kamp veror për nxënësit ku trajtimi ushqimor apo edukativ, nuk do të mungojë nga bashkia apo dhe Drejtoria Arsimore.