Llojani qendër e emigrantëve të huaj

2015-08-21 2

Këto pamje nuk janë të xhiruara as në Afganistan e as në Sudan e gjetiu, por në fshatin Llojan të Komunës së Likovës. Në këtë fshat mund të takosh dhe të shohësh emigrantë të shumtë që vazhdojnë të shëtitin të lirë edhe pse ata nuk janë të dëshirueshëm nga banorët lokal. Kryetari i Bashkësisë Lokale të Llojanit, Selami Memeti thotë se Ministrja e Brendshme Jankullovska luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore duhet ta nis në Gjevgjeli prej ku edhe vijnë emigrantët, e jo të shqetësojë banorët e Llojanit.

"Prej Gjevgjelisë e deri në Llojanë, ka më shumë se 200 kilometra. Gjarpri mbytet në kokë, dhe Jankullovska duhet të bllokojë Gjevgjelinë, në Llojanë nuk ka çfarë kërkon, këtë aksion duhet ta ndërmarr në Gjevgjeli. Fëmijët po frikohen të shkojnë në shkollë, mund të sjellin ndonjë sëmundje...Ata në bizneset mes vete, ndodh dhe kemi pasur raste kur janë therur mes vete me thika, janë rrahur, ja dje pikërisht janë përgjakur mes vete", tha Selami Memeti, kryetar i Bashkësisë Lokale, fshati Llojanë.

Ministrja e Brendshme, Jankullovska dje deklaroi se gjatë një aksioni policore janë shënuar rezultate shumë të mira në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. Sipas saj, në disa rajone të Kumanovës, Bogdancit dhe Gjevgjelisë, policia ka prangosur 15 persona, mes tyre 2 emigrantë të huaj dhe një polic që njoftonte organizatorët e trafikut, për oraret e kontrolleve policore.

"Ata organizuan rrjetin e trafikimit të emigrantëve përmes Maqedonisë, si pjesë e rrjetit kriminal ndërkombëtar për trafikim të qenieve njerëzore, në marrëveshje me shtetasit arabë të cilët qëndronin në territorin e Greqisë. Nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar, përmes territorit të Maqedonisë arritën të trafikoheshin më shumë se 250 emigrantë me prejardhje nga Afganistani, Pakistani, Sudani, Siria si dhe vende të tjera arabe dhe afrikane", deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendshme.

Edhe përkundër deklaratës së djeshme të Ministres së Brendshme Jankullovska se dikasteri i saj ka arritur me sukses të shpartallojë një grup që ka organizuar tregëti me njerëz, sot ekipi i Televizionit ALSAT-M gjendet në fshatin Llojanë të Komunës së Likovës, ne me mund të konfirmojmë një fotografi krejtësisht ndryshe nga ajo që u tha dje nga MPB-ja. Këtu mund të vërehen emigrant të ndryshëm se si shëtisin të lirë nëpër tërë fshatin.

ALSAT-M për problemin që kanë banorët e fshatit Llojan të Komunës së Likovës ka 2 vite që po alarmon opinionin dhe institucionet përgjegjëse. Një numër i madh i banorëve të Llojanit sot nuk deshën të prononcohen, pasi siç thonë ata janë të mllefosur nga organet e rendit, që fajtorin nuk e kërkojnë tek trafikantët në Gjevgjeli, por në shtëpitë e tyre. Ndryshe sipas të dhënave policore, emigrantët për desitnacion të fundit kanë shtetet e Evropës Perendimore. Ata fillimisht zbarojnë në Greqi prej nga përmes Maqedonisë dhe Serbisë përfundojnë në destinacionin e fundit. Valmir Kuçi