Çështja e emrit duhet të zgjidhet sipas modelit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Këtë porosi e ka sjellë në Shkup zv/ndihmësi i sekretarit shtetëror amerikan për Europë dhe Euroazi Filip Riker, në takim me kryeministrin Gruevski dhe presidentin Ivanov. Ish ambasadori amerikan në Shkup deklaroi se çështja e emrit mund të gjejë zgjidhje, sidomos pas propozimit të fundit të ndërmjetësuesit Metju Nimic, nëse autoritetet tregojnë dëshirë dhe vullnet për zgjidhjen e këtij kontesti.
"Është koncepti i njëjtë sikur mes Kosovës dhe Serbisë për shembull, ata pranuan një drejtim përpara, dhe e shfrytëzuan atë duke u angazhuar në negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, dhe arritën marrëveshjen e 19 prillit, dhe tani po punojnë në implementimin e saj. Jemi të kënaqur që ambasadori Nimic ka shtruar një propozim, dhe shpresojmë se do të jetë moment për të punuar në këtë çështje. Sigurisht procesi është akoma këtu, dhe ne e mbështesim këtë proces. Duhet të ketë vullnet dhe dëshirë", tha Filip Riker, zv/ndihmës i sekretarit shtetëror për Europë dhe Euroazi.
Riker theksoi se dialogu politik në Shkup po përmirësohet, pas ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit të kaluar në Kuvend. Takimin e kryetarit të ri të LSDM-së Zoran Zaev me kryeministrin Gruevski, Filip Riker e vlerëson si rifillim të ri të dialogut politik në Maqedoni.
"Dialogu është i mirë, kjo është shumë e rëndësishme. Opozita konstruktive ka rol të rëndësishëm në çdo demokraci. Mendoj se dialogu në Maqedoni ishte sfiduar dhjetorin e kaluar, që ishte shumë evidente. Ne shpresojmë se ky rifillim është mundësi të diskutohet nëse secili mund të shkojë rrugës së njëjtë", deklaroi Filip Riker, zv/ndihmës i sekretarit shtetëror për Europë dhe Euroazi.
Gjatë vizitës së tij, Filip Riker ka takuar presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Gruevski, kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev, ndërsa dje ka vizituar edhe kryetaren e Komunës së Tetovës Teuta Arifin. Riker nesër merr pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të shteteve anëtare të Kartës së Adriatikut. Në këtë takim janë ftuar edhe ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë në cilësinë e shteteve vëzhguese. Benjamin Arifi