LIBRAZHD -- Kryetari i PS-së, Edi Rama, pasi ka lënë Peqinin dhe i është drejtuar qytetit të Librazhdit, ku ka zhvilluar takimin elektoral të radhës që në mbrëmje do të mbyllet në qytetin e Korçës. Takimi u zvillua në mesditë në sheshin e qytetit, në kushtet e të nxehtit, por Rama vlerësoi praninë e mbështetësve të PS-së, që e konsideroi në veçanti krenari të ligjshme për djalin librazhdas, kandidatin Taulant Balla. "Kjo prani e jashtëzakonshme tregon se njerëzit e zakonshëm të këtij qarku duan të dëshmojnë refuzimin për politikën e tuneleve. Këtë shesh e ka mbushur edhe krenaria juaj për Taulant Ballën, njeri si ju që do të punojë gjithnjë për ju. Tek Taulanti ju shikoni me të drejtë arsyen për të besuar se gjithkush mund t'ia dalë. Se nuk ka nevojë të jesh djali i këtij apo atij, por mjafton të jesh i talentuar, i vendosur dhe i mbështetur. Pra, ashtu siç Taulanti ia ka dalë, edhe ju do do t'ia dilni", - theksoi ai.