TIRANE - Fryma e Re Demokratike do të angazhojë 5500 vëzhgues në qendrat e votimit me qëllim garantimin e votës që qytetarët do e adresojnë për këtë parti më 23 qershor. Në një seminar trajnimi të zhvilluar sot paradite në hotel "Tirana" , kreu i kësaj partie, Bamir Topi, nënvizoi rëndësinë e këtij misioni në një vend si Shqipëria ku, sipas tij, mungon shteti. Në këtë vazhdë Topi shprehu shqetësimin për KQZ aktuale, e cila sipas tij derjtohet nga 4 supermilitantë, dhe i bëri thirrje opozitës të plotësojë në mënyrë urgjente vendet vakante të KQZ. "Problem është garantim i votës që qytetarët do adresojnë për FRD. Në cdo vend tjetër do ishte e pakuptimtë që Partitë politike të angazhoheshin në mënyrë impenjative pasi do ia garantonte ligji dhe ajo që mungon këtu, shteti. Shteti do i garantonte korrektësinë e zhvillimit, administrimit dhe numërimit të votave. Por në Shqipëri ka probleme të jashtëzakonshme me zbatimin e ligjit nga persona që janë ngarkuar me ligj."- tha Topi duke shtuar se mbrojtja e saj do të jetë me mënyra demokratike.