LAÇ - I drejtohen kodrës mbi qytetin e Laçit, duke besuar në mrekullitë e kishës së Shna Ndout. Janë me mijëra pelegrinë nga çdo besim fetar, qytet apo krahinë, të cilët luten e luten për mbarësi. Nata e 12 qershorit është momenti kulminant i këtij besimi, që konsiderohet si unik në Ballkan e ndoshta edhe më gjerë. Askush nuk i ka numëruar pelegrinët në kishen e Shna Ndout, por për padër Mikel Pllumbin kjo shifër arrin në mbi 1 milion vetë. Sipas Pëllumbit, edhe këtë herë mrekullitë janë deklaruar nga besimtarët, e për këtë ai përmend raste konkrete. Megjithëse të gjithë flasin për mrekullitë e këtij vendi të shenjtë, padër Pllumbi thotë se ato shpallen vetëm, pasi të faktohen nga shkenca, që besimtari është shëruar.