Mot i keq me shira të dendur dhe breshër që përfshiu dje një pjesë të vendit, ka shkaktuar dëme në të mbjellat bujqësore në Maqedoninë lindore, ndërsa uji i rrëmbyeshëm ka përmbytur edhe katet e para në Prilep. Sipas autoriteteve, nuk ika rrezik për përmbytje të mëdha, sepse moti i tillë me reshje do të zgjasë e shumta edhe dy ditë. Nga e shtuna, moti do të stabilizohet dhe temperaturat do të rriten.
"Në Probishtip, ku moti i keq me breshër përfshiu Kukovën, Puzdercin, Zarapincin, Strisovcin, Petërshinën dhe Buçishtën shkaktuan dëme materiale në të mbjell. Dëmet do të vlerësohen nga komisionet komunale. Kishte edhe disa probleme në furnizimin me energji elektrike, që janë arritur të shmangen shpejt nga ekipet e EVN-së", deklaroi Nadica Vçkova, Qendra për menaxhimin e krizave.
"Nesër do të mbajë sërish mot i ndryshueshëm me vranësira. Do të ketë reshje të shpeshta shiu, mirëpo me intensitet më të ulët. Reshjet do të jenë lokale, dhe ndoshta më shumë, në pjesët lindore të vendit. Temperaturat do të shënojnë një rritje të butë. Mot të ngjashëm do të ketë edhe të premten. Nga e shtuna, gjatë gjithë fundjavës, dhe deri të mërkurën, do të mbisundojë mot me diell dhe shumë i ngrohtë, me temperatura që do të shkojnë deri në 35 gradë", tha Lençe Rizova, Sinoptikane.
Sipas hidrometeorologëve, gjendja e ujërave në Maqedoni në këtë moment është e qëndrueshme, ndërsa shirat janë bereqet për bujqësinë.
"Ky është bereqet që do të mirëmbahet deri në muajt e verës të cilët pritet të jenë tepër të nxehtë, gjë që është normale për kohën e verës, korrik dhe gusht. Shirat që do të paraqiten tani kanë anën e mirë, pasi janë me ndërprerje. Shirat janë të karakterit lokal, por ka edhe shira që në disa momente paraqiten në sasi të mëdha dhe mund të shkaktojnë dëme. Ndryshe, në aspektin global, të gjithë shtretërit e lumenjve në Maqedoni nuk paraqesin ndonjë rrezik të veçantë", tha Josif Milevski, udhëheqës i sektorit për Hidrologji në DPHM.
Rrezik për dalje të mundshme nga shtrati, paraqesin disa lumenj të vegjël në disa rajone të Kavadarit dhe Koçanës. Bojana Simonoviq