Maqedonia dhe Kosova marrëveshje për bashkëpunim në kulturë

2015-08-21 1

Qeveria i dha dritë jeshile propozim ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim kulturor mes Maqedonisë dhe Kosovës, e cila ishte nënshkruar nga ministritë përkatëse në fillim të muajit shkurt. Me këtë marrëveshje definohen lëmit dhe forma e bashkëpunimit të institucioneve kulturore të të dyja vendeve.

"Marrëveshja e ratifikuar paraqet një kornizë juridike në të cilën parashihet bashkëpunimi i drejtpërdrejtë i institucioneve kulturore mes dy vendeve. Kjo marrëveshje definon edhe lëmit e bashkëpunimit dhe format e bashkëpunimit në sferën e kulturës. Dëshiroj të theksoj se Maqedonia dhe Kosova kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe ky bashkëpunim do të vazhdoj në të ardhmen sepse deri më tani Maqedonia dhe Kosova kanë nënshkruar dhe ratifikuar mbi 25 marrëveshje", deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i qeverisë.

Marrëveshja parasheh bashkëpunim në më shumë fusha si, fusha e letërsisë dhe përkthimit, artit, teatrove, kinemave, arkitekturës, muzeve dhe galerive, bibliotekave dhe arkivave, bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet organizatave botuese, shkëmbimin e librave, revistave dhe publikimeve. Kjo marrëveshje njëherit mundëson shkëmbimin e ekspertëve dhe informatave në lidhje me çështjen e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si dhe bashkëpunim ndërmjet organeve të duhura për të siguruar mbrojtjen e ndërsjellë të të drejtave të autorit. Marrëveshja ka afat pesë vjeçar me mundësi vazhdimi, ndërprerjeje apo plotësim-ndryshimi me pëlqimin reciprok të palëve. Gjyltene Rexhallari