Ndryshimet që janë bërë në projekt ligjit për mediat nuk kanë përfshirë vërejtjet më të rëndësishme të gazetarëve dhe ekspertëve të huaj dhe vendor. Dy vërejtjet kryesore që janë theksuar në fazën e shqyrtimit publik të versionit të parë të Propozim Ligjit për media, ishin që në këtë Ligj të mos përfshihen mediat e shtypit dhe ato të internetit, si dhe të eliminohen mundësitë e politizimit të Agjencisë për mediat
"Vlerësimet e para janë që versioni i ri i Ligjit nuk i pranoi vërejtjet tona kryesore dhe thelbësore. Ne kemi kontestuar konceptin e Ligjit. Mendimi jonë është se ky Ligj nuk duhet të përfshijë të gjitha mediat, por vetëm shërbimet audio vizuele, ndërsa interneti dhe mediat e shtypit të dalin nga ky Ligj. Kjo nuk është bërë. Vërejtja tjetër është Agjencia, e cila sipas perspektivës tonë, kështu siç është propozuar, duket se mund të jetë nën ndikim të madh të politikës", tha Erdem Amet, SHGM.
Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë theksojnë se vërejtjet e tyre janë në vijë të njëjtë me vërejtjet e ekspertëve vendor dhe atyre të huaj. Sipas përfaqësuesit të SHGM-së Erdem Amet, gazetarët do të jenë aktivë në debatin e rihapur për draft-ligjin e ri, por thekson se nëse përsëri nuk pranohen vërejtjet kryesore dhe ky ligj kalon kështu, seriozisht do të cenohet liria e shprehjes.
"Vendimin përfundimtar duhet ta sjellë Qeveria, por qëndrimi ynë është se nëse kështu kalon Ligji, do të cenojë seriozisht lirinë e shprehjes në Maqedoni", u shpreh Erdem Amet, SHGM.
Agjencia për media, siç parashikohet me këtë draft-ligj, duhet të përbëhet nga shtatë anëtarë, prej të cilëve tre i propozon Kuvendi, tre Bashkësia e Komunave, ndërsa vetëm 1 Shoqata e Gazetarëve. Benjamin Arifi