Ministria e Brendshme do të pajiset edhe me 100 vetura të reja. Komisioni pranë MPB-së hapi sot ofertën për tender në mënyrë publike. Nga atje njoftojnë se katër auto kompani kanë shfaqur interes për të fituar këtë tender. Sipas ofertës së MPB-së, çmimi për 100 veturat lëviz nga 47 deri në 66 milion denar. Në këtë çmim, sipas MPB-së përfshihen edhe kushtet tjera të kërkuara në tender si katër goma rezervë, pajisje për sinjalizim dhe servisim i automjeteve për 3 vjet aq sa zgjat edhe marrëveshja.
"Është konstatuar se deri tani kanë arritur 4 oferta nga kompani nga Shkupi edhe atë 'Avtonova' e cila ka ofruar veturën 'Citroen C1X', pastaj 'Euroimpeks' me veturë 'Pezho 107', 'Porshe Makedonija' me veturën 'Shkoda Siti Gou' dhe 'Avto Makedonija' me veturën 'Shevrolet spark' . Çmimi i parë që është ofruar për veturat lëviz nga 47 milion denar deri më 66.800.000 denar. Kushti bazë për të fituar tenderin është çmimi më i ulët i ofruar në ankandin publik që plotësisht pritet të mbahet. Ofertat dhe çmimet që janë ofruar nuk kanë të bëjnë vetëm me çmimin e veturës por edhe për elementet tjera që MPB i ka paraparë me tender", tha Ivo Kotevski zëdhënës i MPB.
Komisioni pranë MPB-së do të analizojë ofertat nëse plotësojnë kushtet e parapara në tender dhe më pas pritet të realizohet ankandi elektronik i cili do të përcaktoj fituesin e këtij tenderi.
Ministria e Brendshme në tenderin e fundit u pajis me 150 vetura të reja të tipit 'Shkoda Jeti'. Gjyltene Rexhallari