Marrëveshja kolektive, shkak i dallimit në paga të aktorëve

2015-08-21 6

Mungesa e një marrëveshjeje kolektive mes punonjësit në Teatrin shqiptar dhe sindikatës së punëtorëve është shkaku kryesor për disbalancin në paga mes aktorëve shqiptarë dhe atyre maqedonas. Kështu thonë nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Financave, të cilët shprehin gatishmëri që të bëjnë punën e tyre, me qëllim që diskriminimi i aktorëve shqiptarë në paga të mos vazhdojë. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës shpjegon se mungesa e një marrëveshjeje kolektive ka bërë që kërkesa e Ministrisë së Kulturës për pagat të refuzohet nga Ministria e Financave.

"Këtu është një problem edhe më i madh sepse Sindikata e cila ka të bëjë me Ministrinë e Kulturës në nivel republikan nuk ka të nënshkruar me punëdhënësit, pra Ministrinë e Kulturës dhe Qeverinë, që të bëhet nivelizimi i rrogave. Derisa kjo nuk bëhet dhe si informatë kalohet në Qeveri, Ministria e Financave nuk jep përgjigje pozitive", deklaroi Muzafer Bislimi, sekretar në Ministrinë e Kulturës.

Zv/ministri i Financave Ardian Xheladini premton se në buxhetin e vitit 2014 apo me ndonjë rebalanc eventual të buxhetit të këtij viti, do të zgjidh problemin e pagave të aktorëve shqiptarë.

"Kemi informacione se ekziston një diskrepancë ose dallim në pagat që i marrin aktorët shqiptarë dhe ato maqedonas. Gjithashtu kemi informata se ekziston iniciativë për nivelizimin e rrogave të aktorëve, siç është rasti me ndryshimin e marrëveshjes kolektive brenda ministrisë së Kulturës, por nuk është arritur të nënshkruhet kjo marrëveshje. Nëse arrihet deri te Marrëveshja kolektive atëherë këto mjete të cilat duhet të paraqiten në buxhetin e Ministrisë së Kulturës, ne si Ministri e Financave jemi të gatshëm që në çdo moment të ulemi të bisedojmë me qëllim që të zgjidhim këtë problematikë", tha
Ardian Xheladini, zv/Ministër i Financave.

Iniciativa e aktorëve shqiptarë është dërguar deri te Ministria e Kulturës dhe të Financave që në mars të këtij viti, ndërsa deri tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive nga institucionet shtetërore. Diskriminimi i tillë i aktorëve shqiptarë në paga po zgjat tashmë 7 vite. Benjamin Arifi