Testimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme ka kaluar nën hijen e gabimeve të shumta gjuhësore dhe përmbajtësore, sidomos të testeve në gjuhën shqipe që janë bërë shkak edhe I debateve dhe kritikave të shumta nëpër rrjetet sociale. Por zv/ministri i arsimit Safet Neziri thekson se bëhet fjalë për testim të rreth 200 mijë nxënësve filloristë dhe gjimnazistë, dhe se gabime të tilla sipas tij janë normale.
"Është një numër i konsideruar, me mijëra pyetje, të cilët janë përgatitur për të gjitha nivelet, prej arsimit fillor deri te drejtimet e gjimnazeve dhe drejtimet profesionale. Në përpilimin e testeve kanë qenë të angazhuara Byroja e Zhvillimit të Arsimit dhe Qendra e Arsimit Profesional dhe Trajnimit për përgatitjen e pyetjeve, përkthimin e pyetjeve dhe lekturimin e të njëjtave. Por pasi që bëhet me numër të konsiderueshëm të pyetjeve, është normale të kemi gabime të kësaj natyre", tha Safet Neziri, zv/Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Neziri ka shpjeguar se pyetjet që përmbajnë gabime gjuhësore dhe përmbajtësore nuk do të merren parasysh gjatë vlerësimeve të testit. Nëse nga profesorët testues janë shënuar vërejtje rreth përmbajtjes së testit, pyetjet kontestuese do të minusohen nga numri i përgjithshëm i pyetjeve.
"Për ti evituar këto gabime, në çdo shkollë, në çdo klasë, në çdo grup kemi ne testues brenda, kemi vëzhgues. Dhe për çdo vërejtje janë të detyruar dhe obliguar, dhe janë duke kryer punën e tyre, që të shënojnë vërejtjet dhe sugjerimet. Ne do ta konstatojmë dhe vlerësojmë që ato pyetje që kanë pasur eventualisht gabime, lëshime teknike, të mos ndikojnë në suksesin e nxënësit. Njerëzit tanë profesional do ti minusojnë nga numri i përgjithshëm i pyetjeve të mos ndikojë negativisht tek nxënësit", deklaroi Safet Neziri, zv/Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Sipas nxënësve, arsimtarëve por edhe Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë dhe shoqatës së historianëve shumica e pyetjeve nuk kanë lidhshmëri me temat e trajtuara gjatë vitit shkollor. Historia shqiptare kanë qenë e thuajse e papërfshirë në test ndërsa në shumë pyetje gjuha shqipe ka qenë e pakuptueshme. Gabime janë regjistruar edhe në ngatërrimin e klasave apo të mësimit tetëvjeçar me atë nëntëvjeçar. Gabimet e këtilla sipas shoqatave të ndryshme e bëjë të dështuar provimin ekstern. Benjamin Arifi