Shtëpia e Flamurit, ku në vitin 1916 patrioti, Themistokli Gërmenji ngriti flamurin shqiptar, duke shpallur Korçën Krahinë Autonome, pas rrëzimit në 16 gusht të 2012-ës, tashmë është rrethuar, dhe mesa duket në vend të saj po synohet të ndërtohet një objekt tjetër.
Bashkia nga ana e saj e ka mohuar ndërhyrjen , ndërkohë që konfirmon se kjo është bërë nga tre pronarët, të cilët e kanë blerë ndërtesën.
Inspektori i ndërtimit, Ilir Limllari, në një prononcim publik ka nënvizuar se rrethimi i kryer gjatë orëve të natës është i paligjshëm dhe për këtë akt është bërë kallëzim dhe në prokurori.
Godina e këtij monumenti, e cila u rrëzua më 16 gusht të vitit të kaluar, tashmë është rrethuar edhe me llamarina, për të mos lejuar ndërhyrjen e tre ish-pronarëve të tokës.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i ish-pronarëve, të cilët pohojnë se nuk është synuar asnjëherë shkatërrimi i godinës, por kthimi në gjendjen e dikurshme. Njëri prej tyre, Aurel Kocibelli pohon se rrethimi është bërë thjesht për mbrojtjen e objektit, ndërkohë që asnjëherë sipas tij nuk është synuar shkatërrimi, por kthimi në gjendjen e dikurshme.
Kocibelli ka akuzuar njëherësh dhe kryetarin e bashkisë Korcë, Niko Peleshin se për Shtëpinë e Flamurit, nuk ka asnjë interes tjetër, vecse personal.
Ndërkohë i kontaktuar në telefon drejtori i Monumenteve të Kulturës në Korcë , Vasillaq Kolevica u shpreh se objekti nuk është më në kompetencën e këtij institucioni. Për këtë objekt si dhe për premtimet se do të ngrihet nga fillimi duhet të përgjigjet bashkia e qytetit.
Kjo ndërtesë kreu funksionin e selisë qëndrore të Republikës Autonome të Korcës , që ndikoi fuqishëm në zhvillimin e lëvizjes patriotike në vendin tonë si dhe hodhi bazat e zhvillimit kulturor perëndimor.